Ekspertët e OBSH’së paralajmërojnë, tregojnë masat që duhet marrë për ta mbajtur nën kontroll koronavirusin

Grupi i pavarur i Këshilltarëve teknik dhe strategjik për sëmundjet infektive në kuadër të Programit për Emergjencat Shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë sugjeruar vendet që të mos marrin sërish masa ekstreme por të ndërmarrin veprime për parandalimin dhe kontrollin e pandemisë Covid-19.

Në një artikull të publikuar në revistën “The Lancet” me titull “Bashkëjetesa me pandeminë Covid-19: lufta me mjetet që i kemi”, autorët kanë shkruar se bazuar në informacionet që kanë mbledhur deri më tani nga vende të ndryshme të botës, kanë arritur në përfundim se qasja më e mirë në luftën kundër pandemisë është vendosja e një strategjie afatgjate me fokus parandalimin e transmetimit të virusit, mbrojtjen e grupeve vulnerabile dhe mbështetjen e hulumtimeve për të kuptuar më mirë virusin.

Autorët në këtë artikull kanë përkujtuar se shumë nga karakteristikat e virusit Sars-Cov-2 nuk janë kuptuar ende plotësisht, sikurse janë niveli dhe reagimi i imunitetit, spektri i plotë i sëmundjes dhe pasojat afatgjata, mundësia e ri-infektimit, potenciali i virusit për t’u bërë endemik, etj.

“Sars-Cov-2 nuk po sillet në mënyrë epidemiologjike sikurse virusi i gripit dhe po vazhdon të rikthehet në grupe ose shpërthime të reja. Me një përgjigje më të saktë të bazuar në shëndetin publik, duke përfshirë zbulimin e hershëm të rasteve aktive, gjurmimin e kontakteve dhe strategjinë testuese, përhapja e virusit në komunitet mund të mbahet në një nivel më të menaxhueshëm”, thuhet në këtë artikull.

Autorët kanë marr shembull vendet si Koreja e Jugut, Japonia, Hong Kongu, Singapori, Vietnami dhe Gjermania, të cilat sipas tyre kanë treguar se kjo qasje e mban transmetimin në nivele të qëndrueshme dhe më të ulëta, e poashtu edhe kanë parandaluar rritjen e numrit të pacientëve të shtrirë në spitale, si dhe vdekshmërinë e përgjithshme, në krahasim me vendet që nuk e kanë ndjekur këtë qasje.

“Kjo qasje bazohet në tre parime: të kuptuarit, besimi dhe participimi i të gjitha grupeve të popullatës; ulja e nivelit të transmetimit duke përdorur intervenime epidemiologjike dhe të shëndetit publik; dhe duke marr parasyshë se zbulimi i mundshëm i vaksinës dhe ilaçit do të jenë vetëm një pjesë e zgjidhjes së problemit”.

Sipas autorëve, ndonëse këto komponentë për luftimin e pandemisë janë të njohura për të gjithë specialistët e shëndetit publik, ato janë lënë pas dore ose janë keqkuptuar në disa vende si nga udhëheqësit politike ashtu edhe nga publiku i gjerë, transmeton gazetashneta.

Lista e komponentëve epidemiologjik dhe shëndetit publik për përgjigje ndaj pandemisë Covid-19:

– Detektimi i shpejt i personave të infektuar, vatrave dhe rajoneve me përhapje të shtuar

– Izolimi dhe menaxhimi i personave të infektuar me Covid-19

Personat që rezultojnë pozitiv me Covid-19 duhet të izolohen dhe trajtohen me praktikat më të mira të kujdesit shëndetësor.

– Hetimi i shpërthimeve

Gjurmimi i kontakteve dhe testimi diagnostik dhe/ose studimi serologjik, janë të nevojshme për të hetuar shpërthimet dhe për të kuptuar se po ku ndodhin ato.

– Zvogëlimi i transmetimit në komunitet

Duhet të bëhet gjurmimi i kontakteve dhe vet izolimi i tyre, si dhe testimi i atyre që shfaqin simptoma.

– Forcimi i kontrollit për respektimin e masave

Sigurohuni që individët, komunitetet dhe organizatat janë plotësisht të angazhuara në respektimin e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve.

– Mbrojtja e sistemit shëndetësor

Sigurohuni që sistemi shëndetësor do të përballojë barrën e krijuar nga sëmundja, duke mbrojtur punonjësit shëndetësor dhe duke forcuar praktikat e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit.

– Ulja e rrezikut të përgjithshëm

Parandaloni ose evitoni rrezikun nga tubime dhe ngjarje të mëdha publike

– Aplikoni masa preventive afatshkurtra

Përdorni masat afatshkurtra siç janë kufizimi i qarkullimit në rajone ku është duke ndodhur përhapja e virusit, derisa transmetimi të ulet ose eliminohet.

– Financimi i hulumtimeve shkencore

Hulumtimet shkencore janë thelbësore për të kuptuar më mirë karakteristikat e Covid-19.

Grupi i ekspertëve kanë rekomanduar poashtu se restriksionet për udhëtimet ndërkombëtare sikurse janë karantinimi i personave të kthyer ose testet PCR, nuk kanë prodhuar efektet për shkak të intervalit të inkubacionit të Sars-Cov-2. Ata kanë rekomanduar nxitjen e udhëtarëve për monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore, si dhe inkurajimin e tyre për respektimin e higjienës personale, distancës fizike dhe mbajtjen e maskës.