Gjithçka u bë për 8 minuta, zbulohet strategjia e zyrtarit të Thesarit për vjedhjen e 2 milionë eurove

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji. Dosja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për zyrtarin që mundësoi transferin e mbi dy milionë eurove, tregon mënyrën se si personat e përfshirë në këtë vjedhje futën duart në Thesar, raporton Gazeta Express.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda për 8 minuta kishte krijuar usera fiktivë që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, që do t’i mundësonin pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronë e Kadri dhe Valon Shalës, të cilët janë arratisur.

“Ky kusht është përmbushur me faktin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehiru ka kryer veprën penale e cila i vihët në barrë me këtë kërkesë, gjë që argumentohet me faktin se si person zyrtar me qëllim të përfitimit për vete dhe tjetrit, me datën 09.10.2020 në intervalin kohor prej orës 12:11 deri në orën 12:19 nga zyra e tij në Ministrinë e Financave-thesari i Kosovës duke krijuar Usera të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Minsitrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme ka realizuar katër transaksione në vlerë të përgjithshmë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 cent, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” Sh.P.K””, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Labinot Gruda duhet të paraburgoset, pasi ai mund të ikë jashtë vendit në rast se nuk i caktohet masa e sigurisë.

Siç edhe kërkoi Prokuroria, Gjykata vendosi që t’ia caktojë paraburgimin Labinot Grudës, i cili deri tash është i dyshuari i vetëm që është arrestuar. GazetaExpress