Vjosa Osmani tash është presidente e Kosovës

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tash do të jetë ushtruese e detyrës së presidentit.

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, Osmani do ta udhëheqë shtetin deri në zgjedhjen e presidentit të ri, raporton Gazeta Express.

Siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës, nëse Presidenti largohet nga zyra e tij brenda mandatit, atëherë kompetencat e tij i kalojnë kryeparlamentarit.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se si zgjidhet presidenti i shtetit. Sipas Nenit 86, presidenti zgjidhet në Kuvend të Kosovës, me votim të fshehtë.

Në këtë pozitë mund të nominohet si kandidat, ai apo ajo që siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit, derisa saktësohet se deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president.

Zgjedhja e kreut të shtetit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

“Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, saktësohet në Kushtetutë, në nenin që flet për zgjedhjen e presidentit. /Express/