KLINAKU PËR KËRCËNIMET E VUÇIQIT: NE DO TA PRESIM PËRSËRI ME PUSHKË

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pas kërcënimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “nëse nuk ka zgjidhje përmes dialogut me Kosovën, mund të ketë konflikt”, transmeton Insajderi.

Klinaku përmes një postimi në Facebook tha se nëse zhvillohet ndonjë luftë në Kosovë, atëherë shqiptarët përsëri do ta presin me pushkë.

“Ndërkohë, sa i përket kërcënimeve të Vuçiqit për luftë, nëse vjen deri te kjo: Ne do ta presim përsëri me pushkë”, ka shkruar Klinaku.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën. Ai e ka përmendur luftën që po zhvillohet në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke përkujtuar se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”. Insajderi