Është arritur marrëveshja për zhbllokim të llogarive të Telekomit, ketë e ka bërë të ditur Ministri i Ekonomisë dhe ambientit Blerim Kuqi përmes rrjetit social Facebook.
“Sot kemi arritur me sukses të zhbllokojmë llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe është nënshkruar një marrëveshje me operatorin ekonomik Dardafone.net ” Ka shkruar në Facebook Ministri Kuqi.
Ky është postimi i plotë:
Arrihet marrëveshja për zhbllokim të llogarive të Telekomit
Sot kemi arritur me sukses të zhbllokojmë llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe është nënshkruar një marrëveshje me operatorin ekonomik “Dardafone.net”.
Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë.
Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një Marrëveshje Mirëkuptimi për Subvencionim të Kushtëzuar për Investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit.
Kjo marrëveshje që tashmë e kam nënshkruar unë dhe Bordi i Telekomit, do të bëjë zgjidhje të përhershme të kësaj ndërmarrje dhe jo një zgjidhje vetëm për disa muaj.
Me këtë marrëveshje mirëkuptimi, Telekomi ka marrë obligime për të investuar në teknologjinë e tyre, duke filluar nga implementimi i plotë i kodit shtetëror +383.
Gjithashtu, në zotimet e Bordit të Telekomit, kjo ndërmarrje do të punojë për të shkurtuar shpenzimet.
Duhet bërë e ditur që Telekomi i Kosovës do të kthen këto mjete të subvencionimit në llogarinë e Qeverisë së Kosovës.