Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, njëherësh kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmin e ka bërë të ditur Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale ku ka njoftuar se është testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), pasi fillimisht disa kontakte të saj kanë rezultuar pozitiv.
“Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument e vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”, shkroi Osmani.
Osmani tutje ka njoftuar se përkundër kujdesit maksimal, këto ditë virusi është përhapur më shumë se kurrë më parë. Ajo ka uruar që kjo sfidë të tejkalohet bashkërisht dhe duke mos e injoruar rrezikun nga ai.
Në Kosovë ditëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve me koronavirus. Vetëm në 24 e fundit janë raportuar 16 të vdekur dhe 690 raste të reja të infektimit.