Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se brenda disa ditëve do të arrijnë në Kosovë rreth 160 mijë vaksina kundër gripit sezonal.
Zemaj u shpreh se këtë vit ka rritje mbi 60 për qind të sasisë së këtyre vaksinave.
“Sa i përket vaksinës për gripin sezonal, MSh përmes blerjes përmes UNICEF-it ka siguruar deri më tani 160 mijë e 500 vaksina të gripit sezonal, që paraqet rritje prej 60 për qind krahasuar me sasitë e këtyre vaksinave nga viti i kaluar. Vaksinat janë blerë nga ministria e Shëndetësisë ndërsa UNICEF ka kryer pjesën e prokurimit dhe aspektet logjistike rreth sigurimit të vaksinës. Këto vaksina do të shpërndahen për grupet e rrezikuara të popullatës sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe vaksinat janë katër valente që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë në qarkullim të gripit sezonal.
Këto vaksina tani më janë blerë, pjesa shtesë do të sigurohen edhe 55 mijë e 500 vaksina të së njëjtës cilësi. Vaksinat sipas njoftimet zyrtare nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë janë nisur nga vendi i prodhimit dhe do të arrijnë në Kosovë brenda ditësh dhe do të shpërndahen brenda muajit nëntor”, tha ai.
Rreth vonesave për arritjen e vaksinës kundër gripit sezonal tha se ka ndodhur në fillim të vitit 2020 dhe për këtë papërgjegjësi tha se ka pasur masa ndëshkimore.
Në debatin parlamentar që po mbahet rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19, Zemaj tha se për 5 muaj ka rritur numrin e testimeve për COVID-19.
“Ajo çka mund të them me përgjegjësi për këta 5 muaj e më shumë apo hiç më pak ka shtim apo dyfishim të numrit të shtretërve, janë 20 dyfishuar testimet, janë trefishuar aparaturat për të gjitha shërbimet, janë dhjetëfishuar aparaturat për testime dhe çka është më e rëndësishmja nuk do të ketë më mjekë të papunë në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Rreth funksionalizimit të spitalit COVID, që për këtë është destinuar spitali i emergjencës i cili është në ndërtim, Zemaj tha se janë në përgatitje të tenderit për fillimin e punës dhe blerjen e pajisjeve, për çka tha se do të ndodh brenda kësaj jave.
“Pas kompletimit të projektit i cili tash është i kompletuar jemi në proces të përgatitjes së tenderit paralelisht për fillimin e punë sipas specifikave të projektit, blerjen e pajisjeve adekuate për specifikat e destinimit që do të ndodh sigurisht gjatë kësaj jave”, tha ai.
Me shfrytëzimin e kësaj hapësire për trajtim të pacientëve me COVID-19, Zemaj tha se do të mundësohet shërbim cilësor dhe adekuat për COVID dhe mundësimin e koncentrimit të stafit profesional në një institucion dhe ofrimin e shërbimeve kualitative adekuate.Telegrafi