Mbrojtja e katër ish-pjesëtarëve të UCK-së që po dyshon për krime lufte nga Gjykata Speciale gjatë seancës statutore ka kërkuar që ata të mbrohen në liri.
Madje ata kanë kërkuar që t’i jepet afat shtesë dhe kanë propozuar një afat prej 18 muajve që të mund të kryejnë hetime së bashku me ekipet e tyre për të gjetur prova shfajësuese.
Avokati Tomë Gashi në një intervistë për Ekonomia Online thotë se vështirë që gjykatësi do të marrë një vendim të tillë.
Poashtu, ai tha se prokuroria ka deklaruar se ata i kanë në çështjen e aktakuzës të Hashim Thaçit dhe të tjerëve të identifikuar 153 dëshmitar, por kanë pretenduar se mund të kenë edhe mbi 50 të tjerë.
“Ne deri më tani nuk kemi pasur seanca gjyqësore. Kemi pasur vetëm seanca statutore me të cilat diskutohet rrjedha e përgatitjes së gjykimit për të ardhmen që do të jenë dhe janë çështje të ballafaqimit ndërmjet prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës. Në këtë rast kemi pasur të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Mbrojtja ka kërkuar që t’i jepet afat shtesë dhe kanë propozuar një afat prej 18 muajve që të mund të kryejnë hetime së bashku me ekipet e tyre për të gjetur prova shfajësuese. Dhe ky është një rast jashtëzakonisht serioz dhe ajo që është e dëmshme që sipas prokurorisë do të duhej të qëndroj në masën e paraburgimit dhe prokuroria ka deklaruar që ata janë të frikësuar se mund të ketë ndikime në dëshmitar ndërsa pjesën tjetër që e kanë përmendur se ekziston rreziku i ikjes unë jam i bindur se as ata vet nuk i besojnë asaj që e thonë”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake është ai që ka lëshuar fletëarrest për secilin pjesëtar të UÇK-së dhe në situata të tanishme është tepër spekulative që për një periudhë të shkurtër kohore do të lejohet nga gjykata speciale që të gjithë të akuzuarve t’iu lejohet mbrojtja në liri. Prokuroria ka deklaruar se ata i kanë në çështjen e aktakuzës të Hashim Thaqit dhe të tjerëve të identifikuar 153 dëshmitar por kanë pretenduar se mund të kenë edhe më tepër dëshmitar edhe mbi 50. Dhe kanë deklaruar se kanë 43 mijë faqe të shkruara që janë dokumente mbështetëse të aktakuzës, por shumica prej tyre nuk janë fare të përkthyera në gjuhën shqipe dhe nuk mund të përdoren tani për tani”, shtoi Gashi.
Avokati Gashi foli edhe për mbajtjen e seancës së radhës e cila do të vazhdojë në muajin dhjetor.
Tutje, ai tha se gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve nuk do të përfundojë në të gjitha shkallët pa kaluar minimumi i kohës 5 vjeçare.
Sipas tij, një prej kërkesave kryesore të të gjitha avokatëve është që t’iu dorëzohet atyre materiali mbështetës sepse mungon ai në gjuhën shqipe.
Gashi theksoi se Kosova do të përballet me Gjykatën Speciale edhe në 10 vjetët e ardhshme.
“Kjo gjykatë sado që është e dëmshme për kombin tonë shqiptar është themeluar nga parlamenti i Kosovës. Mirëpo kjo gjykatë ka të gjitha konotacionet e një gjykate ndërkombëtare. Dhe procedurat janë tepër të stërzgjatura dhe aspekte procedurale. Për një periudhë të gjatë kohore gjykata nuk do të bie një vendim për lirimin e tyre prej masës së paraburgimit për shkak se sipas tyre ekziston rreziku në dëshmitar dhe për këtë arsye prokuroria ka propozuar tek gjyqtari i procedurës paraprake që ata do të paraqesin kërkesa konkrete që të mbrohet identiteti i dëshmitarëve. Do të kemi seancën e radhës që do të jetë mesi i muajit dhjetor të këtij viti dhe pastaj me këto seanca statusore do të vazhdohet të ketë edhe të tjera derisa të harmonizohen qëndrimet e fillimit të gjykimit. Dhe është e ditur se këto gjykime zgjasin tepër shumë dhe do të jenë me vit të tëra”.
“Unë nuk besoj që gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve do të përfundojë në të gjitha shkallët pa kaluar minimum i kohës 5 vjeçare. Ne me gjykatën speciale do të përballemi edhe në 10 vjetët e ardhshme. Një prej kërkesave kryesor të të gjitha avokatëve ka qenë t’iu dorëzohet atyre materiali mbështetës dhe nuk kanë material në gjuhën shqipe. Dhe gjykata ka premtuar që do ta obligojë prokurorinë që sa më shpejt ky material të përkthehet në gjuhën shqipe dhe ti jepet pjesëtarëve të UÇK-së. Dhe këto raste akuza tepër të rënda zgjasin me vite të tëra dhe ky gjykim ndaj Hashim Thaçit dhe pjesëtarëve të tjerë nuk do të përfundojë para periudhës kohore prej 5 vjetëve”.E.O