Mira Kazhani
Sa për mua, nuk e kam kaluar ende Covid19. Edhe një test serologjik që bëra para 10 ditësh në një klinikë private, nuk më mori askush në telefon për të më dhënë një përgjigje nëse e kisha anti-corpe apo jo. E kam telefonuar disa herë klinikën nga numri në Google, por del gjithnjë i zënë. Zoti e di nëse kam qenë ndonjëherë asimptomatike, por simptoma nuk kam provuar në asnjë rast. Nëse do kem shenja në të ardhmen e afërt, besoj që do t’i drejtohem ISHP-së, se edhe privati më doli i vështirë për t’u aksesuar.
Në 10 muaj kemi prodhuar aq artikuj në tiranapost.al dhe kemi nxjerrë nga ky vit i mbrapshtë më shumë se përgjigje, pyetje. Dhe pyetjet s’janë domosdoshmërish dështim. Ato na ndihmojnë të gjejmë rrugës të vërtetën tonë.
Pyetje ka pasur shumë. Që nga pasiguria e Normalitetit të Ri, që nga frika jo veç e vdekjes që solli korona, por sidomos edhe e mënyrës së saj të vetmuar, të tmerrshme, aspak një vdekje për të qenë. Mos të përsëris komente e përshkrime që i kanë bërë shumica e shkrimtarëve e gazetarëve këto kohë.
Sot një artikull amerikan me titullin “Pse të pasurit dhe të pushtetshmit marrin trajtime anti-Covid që nuk janë miratuar për të gjithë” më ngacmoi një pyetje që e kam pasur si tramvaj nëpër kokë: A është kjo pandemi shenja se të varfrit, të panjohurit, kanë shanse të vdesin e vuajnë më shumë sesa të pasurit e të famshmit? A është kjo pandemi sëmundja e të varfërve?!
Boris Johnson është rasti tipik kur shkoi buzë varrit dhe falë mjekëve të NHS, që përmendi pasi doli nga spitali, sot ai është gjallë. Kjo, sepse kryeministrit britanik i qëndruan pa ndërprerje tek koka duke ditur t’i japin sasinë e duhur të oksigjenit etj., etj.
Në asnjë vend të botës nuk mund të thotë dikush se ka burime njerëzore për çdo të sëmurë, madje lockdown pati që në ditën e parë këtë qëllim e devizë: nuk ju mjekojmë të gjithëve njëkohësisht.
Pra, nëse dikush ka një shans më shumë, këta janë të pasurit që marrin çarterin, që kanë akses tek personalitete të mjekësisë dhe politikës, që kanë para për të paguar shërbime ekstra.
Realisht më duket se Covid-19 është sëmundja e të gjithëve, të pasur e të varfër, të bardhë, verdhë, me ngjyrë, burra dhe gra, biznesmenë dhe roje. Është sëmundja e të gjithëve, por jo lufta e barabartë me të!
Një i varfër, një i panjohur, e ka shumë më të vështirë përballjen me sëmundjen, që nga kurimi e trajtimi e deri tek aksesi në spitale jashtë vendit. Betejën në fund mund ta humbasë edhe një i pasur edhe një i varfër, sepse edhe doktorët kanë një limit, edhe paratë nuk blejnë dot çdo gjë, por shanset favorizojnë atë që ka e jo atë që s’ka.
Ndaj, të shpresojmë që duke e pranuar këtë fakt të dhimbshëm të tregojmë kujdes dhe të shpresojmë që ta hedhim me sa më pak humbje këtë dimër të vështirë, i cili po na mëson mësime të vjetra sa vetë jeta.Insajderi