Shefi ekzekutiv i kompanisë gjermane “BioNTech”, që ka prodhuar vaksinën e parë kundër koronavirusit, ka deklaruar se ajo mund të miratohet për përdorim në muajin dhjetor.
Rregullatorët amerikanë dhe evropianë mund të miratojnë në mesin e muajit dhjetor vaksinën e krijuar nga “Pfizer” dhe “BioNtech” pas rezultateve pozitive në fazën e fundit testuese.
Ugur Shahin ka thënë se nëse gjithçka shkon mirë, vaksina mund të përdoret për raste emergjente. Ndërkaq vaksina e zhvilluar nga “AstraZeneca” dhe Universiteti i Oksfordit ka pasur efekt te të rriturit, duke rritur shpresën se ajo mund të mbrojë më të prekurit nga koronavirusi. Në muajin tetor personat mbi moshën 70-vjeçare që janë testuar me vaksinë kanë mundur të krijonin sistemin imunitar për të luftuar koronavirusin.
Bashkimi Evropian tashmë ka kontraktuar 300 milionë vaksina pasi kompanitë të marrin autorizimet e nevojshme para se të fillojnë me vaksinimin. Fillimisht mendohet të vaksinohen mjekët dhe personeli shëndetësor në ballë të frontit të pandemisë. Evropa po mundohet ta frenojë valën e dytë të koronavirusit me mbyllje të reja ekonomike.
Hans Kluge, drejtor për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka thënë se sistemet e shëndetësisë po sfidohen nga numri i lartë i pacientëve. Një person po vdes çdo 17 sekonda për shkak të pandemisë. Më shumë se 29 mijë vdekje janë regjistruar vetëm javën e kaluar.
“Evropa është edhe një herë epiqendra e pandemisë, bashkë me Shtetet e Bashkuara. Ka dritë në fund të tunelit, por do të kemi edhe gjashtë muaj të vështirë”, ka deklaruar ai para gazetarëve.
Ai ka kërkuar që maskat të mbahen pa përjashtim: “Mbajtja e maskës pa dyshim se është mburojë, dhe duhet të mbahet në kombinim me masat e tjera. Sidoqoftë, nëse 95 për qind e qytetarëve do të mbanin maska, nuk do të kishte nevojë për mbyllje”.