Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, rrezikimi i trafikut publik, nga neni 370 par. 9 lidhur me par.6 dhe 1 të KPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake– Fatmir Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 19.11.2020 deri me datën 18.12.2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e Prokurorisë së Shtetit.
Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh se hetimet janë në fazën fillestare, dhe në vazhdim duhet të dëgjohet i pandehuri V.B., dhe dëshmitarët okular të cilët do të identifikohen gjatë hetimeve, dhe me qëndrimin etë pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti do të pengojë rrjedhën normale të kësaj procedure penale.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit V.B., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, e sipas provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, nga të cilat rezulton se në ditën kritike në magjistralen Prizren – Gjakovë, i pandehuri duke e drejtuar automjetin, duke mos përdorur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe fushëpamjes së rrugës, në të cilën kufizimi i shpejtësisë ka qenë 20 Km/h, me pjesën e përparme të anës së djathtë të veturës së tij, e godet këmbësorin tani të ndjerin A.M., dhe duke mos u ndalë në vendin e ngjarjes, me çka janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Andaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit,
Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë penale (arresti shtëpiak apo paraqitja në stacion policor), mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe se masat tjera janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh rrethanat e lartpërmendura, peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprimeve.