Debati i 19 nëntorit në Pressing, me mysafir Driton Selmanajn, ngjalli reagime të shumta në vend për shkak të deklaratës së tij për deputeten Saranda Bogujevcin mbi temën e të pagjeturve. VV’ja ka gozhduar Selmanajn, ndërsa LDK’ja thotë se deklarata e tij u keqinterpretua. Gazeta Express ju sjell të transkriptuar debatin mes zv.kryeministrit Selmanaj dhe gazetarit Parim Olluri.
Gazetari Olluri gjatë emisionit i kishte thënë zëvendëskryeministrit Selmanaj se Saranda Bogujevci nuk mund të akuzohet për abuzim me temën e të pagjeturve pasi ajo është një e mbijetuar e masakrës, Selmanaj në kundërpërgjigje i thotë Ollurit të mos provojë t’i japë konotacione sepse “jemi lodhë me këso qasjesh”.
Pas përfundimit të emisionit, filluan kritika të ashpra në drejtim të Selmanajt të cilat po vazhdojnë edhe sot, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij nga posti i zëvendësit të Avdullah Hotit, për të cilën ky i fundit i doli në mbrojtje vartësit të tij.
Edhe më tutje vetë Selmanaj dhe LDK’ja thonë se deklarata në Pressing u keqinterpretua dhe u nxor jashtë kontekstit.
Më poshtë e gjeni të transkriptuar pjesën e debatit për temën e të pagjeturve:
Olluri: A e ndini ju veten fajtor z. Selmanaj që ajo që ndodhi sot është derivat i një papërgjegjësie tënde si zv.kryeministër…
Selmanaj: Absolutisht jo, absolutisht jo.
Olluri: … sepse momenti që ju i thuani komisionit parlamentar që është konsumuar instrumenti i raportimit, atëherë ju e keni shkaktuar një kësi tollovie.
Selmanaj: Jo, nuk është qashtu.
Olluri: Unë nuk pajtohem me juve dhe me asnjë zyrtar qeveritar kur thoni që ta zëmë e cekni me emër, Saranda Bogujevci po abuzon me temën e të pagjeturve. A ju duket pak jo serioze nëse e akuzon një të mbijetuar të masakrës. Ndoshta secili prej deputetëve aty në Kuvend mund të akuzohet për abuzim me temën e të pagjeturve, por nuk mund të akuzohet Saranda Bogujevci, se është e mbijetuar e masakrës.
Selmanaj: Jo, jo mos provo me i dhënë asaj konotacione sepse jemi lodhë me kësi qasje, jemi lodhë, o jemi lodhë. Si qeveri, temën e parë e kemi vendosur temën e të pagjeturit, për 10 vjet në Kosovë minimalisht është trajtuar nga politikanët dhe qeveritë, të parën temë e kemi vendosur. Bile edhe instrumentin e kontrollit parlamentar dhe parlamentarizmin si koncept në Kosovë, unë kam punuar 10 vjet drejtpërdrejt në Kuvend dhe besoj se i njoh instrumentet. Nuk mundet komisioni parlamentar dhe Kuvendi për ditë me të thirrë për të njëjtën temë për me u tallë me ty.
Olluri: Nuk mundeni as ju me përcaktu Driton se zëvendëskryeminsitër.
Selmanaj: Veç një sekond, përtej instrumenteve parlamentare, pushtetet kanë dinjitet, pushtetet kanë autoritet. Ti kur ftohesh për një çështje, me logjikën që po thu ti munden me më thirrë 6 herë në ditë me më thirrë ata mu atje.
Olluri: Nuk është Qeveria qeveria përcakton kur shkelet dinjiteti kur jo.
Selmanaj: Çka me bë, me iu nënshtru talljes?
Olluri: Atëherë nëse ia lëmë qeverisë në dorë, në momentin kur ju si qeveri e vlerësoni që po ju shkelet dinjiteti atëherë shpërfillni kuvendin atëherë ne nuk jemi republikë parlamentare. Në anën tjetër nëse edhe Saranda Bogujevcit i themi se po abuzon me temën e të pagjeturve unë nuk e di cili deputet në Kuvend të Kosovës është person që mundet mos me abuzu dhe diskuton seriozisht. Besimi jem personal është që Saranda nuk abuzon me këtë temë.
Selmanaj: Dëgjo, qe po du me thanë pse, për këtë temë kemi debatuar një herë në Kuvend është kry si temë, 2 herë në komisionin parlamentar ka raportuar 1 herë kryeministri, 1 herë ministri i Drejtësisë. Me kërkesë të kryeministrit, kryeministri ka thanë unë du me ardhë në komision pa e thirrë hiç komisioni, ka thanë po ju lus me dyer të mbyllura sepse ka me dhanë informata për të cilat unë mendoj që nuk është mirë me dalë në publik përshkak të ndjeshmërisë së çështjes. Ka shku, 2 orë ka raportu, as pyetje nuk ka pasur nga anëtarët e komisionit përfshirë edhe deputeten në fjalë(Saranda Bogujevci), nuk ka pasë sepse argumentet, informatat që janë dhanë nuk janë të mira.
5 minuta pasi është kry ajo, del në media po e njëjta(Saranda Bogujevci) dhe thotë ka ardhë kryeministri kurgjo s’ka thanë fare, po pse s’e ke sfidu kryeministrin pasi e ke pasë brenda. Që i bjen, për fatin e keq, kjo është shumë e rëndë me thanë, janë tu abuzu për një grusht votash me një temë që një shoqëri e ka një varrë të madhe.Express