Tronditëse, dëshmitarët tregojnë se si serbët luanin me jetën e shqiptarëve: Kam vrarë 50 njerëz, duhet ta çojmë në 100 numrin

Prezenca e theksuar e UÇK-së në komunën e Vushtrrisë, bëri që serbët të hakmerreshin në mënyrën më makabre ndaj civilëve, duke vrarë rreth 120 shqiptarë të pafajshëm.

Më 27 mars 1999 ose rreth kësaj date, forcat serbe filluan të digjnin shtëpi në qytetin e Vushtrrisë dhe dogjën xhaminë kryesore në këtë qytet. Më 2 maj 1999 sulmuan një numër fshatrash në verilindje të qytetit të Vushtrrisë.

Fshatarët u dëbuan dhe shumë shtëpi, dyqane, objekte fetare u dogjën plotësisht. Fshatarët, bashkë me njerëz të shpërngulur më parë nga vendbanime të tjera në komunën e Vushtrrisë, u detyruan nga serbët që të formonin një kolonë prej rreth 20 mijë njerëzish që udhëtonin në rrugën e Grykës së Studimes, në drejtim të qytetit të Vushtrisë.

Gjatë natës së datave 2-3 maj 1999, forcat e Serbisë i keqtrajtuan, rrahën dhe vranë afërsisht 104 shqiptarë dhe i grabitën. Mijëra shqiptarë në këtë kolonë u vendosën nga ushtarët në kooperativën bujqësore afër qytetit të Vushtrisë.

Ndarja e grave nga burrat

Më 3 maj 1999 burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u udhëzuan të shkonin në Shqipëri dhe një numër burrash u detyruan të ngisnin automjete që transportonin gratë, fëmijët dhe të moshuarit për në kufirin me Shqipërinë.

Forcat serbe transportuan qindra burra shqiptarë të moshës për shërbim ushtarak nga kooperativa bujqësore në një burg në fshatin Smrekonicë. Pas disa javësh ndalimi në kushte çnjerëzore, ku iu nënshtruan rrahjeve, torturave dhe vrasjeve, shumë nga këta burra u transportuan në fshatin Zhur dhe u detyruan të kalonin në Shqipëri, shkruan syri.net.

Shukri Gërxhaliu tha se ishte pjesë e kolonës së shqiptarëve që kishin rënë në duart e serbëve. Më 2 maji 1999 kolona lëvizi ngadalë nga veriu i qytetit të Vushtrisë, duke u shtyrë drejt jugut nga “serbët” të cilët granatonin në drejtim të kolonës.

Si rezultat i këtij granatimi, u plagosën dhe vdiqën shumë njerëz në kolonë. Ai pa kur një burrë u vra nga këta ushtarë. I fshehur në traktorin e tij, Gërxhaliu dëgjoi dy “ushtarë” duke folur me njëri-tjetrin për numrin e viktimave që kishin vrarë atë ditë. Njëri nga “ushtarët” tha se kishte vrarë rreth 50 vetë, kurse tjetri shtoi se duhej të vazhdonin të vrisnin deri sa të mbërrinin në 100.

Kur “ushtarët” iu afruan automjetit ku ishte fshehur Gërxhaliu, ai dhe kunati i tij vendosën të iknin. Ata kërcyen nga rimorkioja. Gërxhaliu ra mbi kufomën e kushëririt të tij, Haki Gërxhaliu, i cili duhej të ishte vrarë më herët. Më vonë, bashkëshortja e tij i tregoi Gërxhaliut se disa anëtarë të një familjeje, të cilët kishin qenë në traktorin para tyre, ishin tërhequr zvarrë nga “policët” dhe ishin vrarë.

Kolona me njerëz u çua në një kooperativë bujqësore e cila kishte disa hangarë. Shqiptarët që ishin pjesë e kolonës së granatuar nga serbët, i fshehën kufomat e pjesëtarëve të familjeve të tyre nëpër traktorë.

Torturat në burgun e Smrekonicës

Në burgun e Smrekonicës burrat u rrahën. Shqiptari Sabit Kadriu rrëfen se u mbajt rreth 20 ditë në një qeli të tejmbushur; dy ose tri ditët e para nuk i dhanë as ushqim, as ujë.

Sabit Kadriu vlerësoi se numri shkoi në rreth 2.000 të burgosur, të cilët rriheshin rregullisht nga policët. Në një rast, gjatë qëndrimit në burg të burgosurit u morën nga burgu dhe u dërguan me kamionë në dy vende të ndryshme në Mitrovicë.

Grupi i Kadriut u dërgua në Shkollën Teknike, ku ata u rrahën nga pjesëtarë dhe kadetë të policisë. Kadriu u fut në një klasë, ku dy “serbë” me rroba civile filluan ta pyesnin dhe e akuzuan si pjesëtar i UÇK-së dhe se i kishte dhënë NATO-s të dhëna sekrete. Kur Kadriu mohoi lidhje me UÇK-në, njëri nga serbët u ngrit dhe filloi ta rrihte e kërcënoi se do t’i vriste familjen.

Pastaj ai u dërgua në sallën e fizkulturës ku vazhdoi rrahja. Më vonë atë pasdite, të burgosurit u dërguan sërish në burgun e Smrekonicës. Në mëngjesin e 23 majit 1999, Kadriun së bashku me të tjerë e nisën drejt Shqipërisë.

Varrosja e kufomave nga UÇK

Shukri Gërxhaliu dëshmoi se pasi ikën nga kolona më 2 maj, ai dhe kunati i tij u kthyen në Sllakofc, i cili ishte djegur. Pas kësaj, ata shkuan në Studime të Epërme, te vendi ku kishin ndodhur vrasjet në kolonë dhe mbërritën atje më 3 maj 1999. Atje ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së, të cilët po ndihmonin në varrimin e të vdekurve.

Nga kufomat që pa në atë kohë, Gërxhaliut iu duk se shumica ishin qëlluar në kokë nga afër. Shumica ishin meshkuj, por ishin edhe pesë ose gjashtë femra. Xhafa dëshmoi se kufomat e rreth 115 njerëzve të vrarë në kolonë u varrosën më 4 maj nga civilë vendorë të ndihmuar nga pjesëtarë të UÇK-së.

Një tërësi provash u paraqitën në lidhje me vrasjen e disa pjesëtarëve të familjes së Gërxhaliut, ndër të cilët dhe disa fëmijë, në Studime të Poshtme më 31 maj 1999. Pas vrasjes së të afërmve të tij, Gërxhaliu vendosi të largohej për në Mal të Zi së bashku me pjesën tjetër të familjes.

Zhvarrosja e kufomave nga francezët

Ekipi kriminalistik francez përgatiti një raport ku evidentohet se ekzistonin dy varreza, Sipas raportit, varreza L1, e cila ishte më e vogla nga të dyja, kishte shumë varre, 17 prej të cilave ishin të freskëta. Secili nga këto 17 varre ishte varr individual që ishte i shënuar me pllakë druri me emrin e viktimës. Varreza e emërtuar L2 dukej se ishte hapur më vonë.

Ajo kishte 102 kufoma, 76 prej të cilave u zhvarrosën. Në varrezën L2, kufomat ishin varrosur në varre të përbashkëta me katër deri gjashtë kufoma në çdo varr. Varret e përbashkëta ishin hapur në formë llogoresh, kurse kufomat ishin vendosur njëra pranë tjetrës dhe në shumicën e rasteve kishin pllaka druri me emrat e të vdekurve. Ekipi francez identifikoi 84 nga gjithsej 93 kufoma me ndihmën e fshatarëve vendorë.Express