Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19 vazhdon të mbetet temë e diskutimit në Kosovë. Kryeministri Avdullah Hoti javën që lamë pas premtoi se këtë javë do të kalojë ky Projektligj.
Projektligji është votuar në lexim të parë tek në tentativën e shtatë dhe kjo për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa tashmë ka dështuar dy herë të miratohet në lexim të dytë.
Ky Projektligj po ashtu në mungesë të kuorumit ka dështuar edhe në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Gjatë mbledhjes së fundit të këtij Komisioni, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi kishte thënë se Qeveria duhet t’i merr parasysh rekomandimet e tyre, e nëse ato merren parasysh, ai tha se do ta votojnë Projektligjin.
“Jemi në një situatë shumë të pa lakmueshme ku ky Projektligj është bërë një problem ditor i gjithë qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë edhe i komunitetit të biznesit dhe shfrytëzoj këtë takim të Komisionit t’i bëj thirrje partive në pushtet, Qeverisë, që pa humbur kohë të ulet bashkë me grupin tonë parlamentar dhe t’i merr parasysh vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e Grupit Parlamentar të PDK-së. Në momentin kur ato rekomandime merren parasysh PDK me 24 votat e saj do ta mbështesë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, kishte thënë Gashi, përcjell Telegrafi.
Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi ka thënë se, shprehin gatishmërinë që të ulen dhe të bisedojnë me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje sa i përket Projektligjit.
“Pajtohem që janë sekondat e fundit ku na bëhet thirrje bashkërisht, pajtohem plotësisht që edhe atë ditë kam biseduar me Bedriun që nuk është këtu dhe e kam lutur atë ditë çka mund të bëjmë që të mos i japim ngjyrim politik asaj pjese, por ta bëjmë veç pjesën e interesit ekonomik që ka brenda Projektligji dhe ta bëjmë më mirë. Jam dakord se nëse organizohet ky takim dhe është mirë t’i jepet një shtysë kryeministrit. Ai është dashur të vijë te ne për bisedime”, tha ai.
Kurse nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se, është detyrë e Qeverisë që t’i ketë votat për miratimin e Projektligjit.
“Lëvizja Vetëvendosje pavarësisht faktit që e konsideron këtë qeveri jo të ligjshme, në të kaluarën ka përkrahur nismat ligjore, përkatësisht marrëveshjet ndërkombëtare në shërbim të luftimit të pandemisë COVID-19 dhe jo vetëm, për të cilat mbështetja e opozitë ka qenë e domosdoshme – duke qenë se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon mbështetjen e 80 e më shumë deputetëve. Për çdo dështim të nisma tjetra ligjore që kërkojnë shumicës e thjeshtë për miratim, pra pjesëmarrjen në votim të 61 deputetëve, çka përkon me minimumin e shumicës parlamentare të koalicionit qeverisës, para përgjegjësisë duhet të vihet koalicioni qeverisës përkatësisht qeveria, jo opozita përkatësisht LV. Ky është parimi bazë në demokracinë parlamentare dhe raportit të Qeverisë me Kuvendin. Që nga dita e parë e krijimit të kësaj qeverie, ajo ka qenë e paaftë që të dëshmojë shumicën e nevojshme për të plotësuar programin e saj qeverisës pasi që po e ka të pamundur që të miratojë nismat e saj ligjore – sikurse kjo për masat ekonomike. Është detyrë e Qeverisë që të ketë minimumin e shumicën parlamentare për gjatë gjithë kohës, pra 61 vota, jo vetëm në ditë e formimit të saj”, kishte thënë për Telegrafin zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu.
Lidhur me votimin e tij, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka premtuar se këtë javë do të votohet ky Projektligj.
“Unë sot po jap edhe premtim publik që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike do ta kaloj javën tjetër [këtë javë] dhe do të mbyllet kjo çështje, ku do të definohen të gjitha çështjet, edhe mjetet që do të marrin qytetarët nga kursimet e tyre”, kishte thënë Hoti.
Ai ka shtuar se, do të arrihet një konsensus, pasi sipas Hotit ky Projektligj i prek të gjithë qytetarët e Kosovës.Telegrafi