Një ditë pas humbjes së bastionit kryesor, do të mblidhen fytyrat kyçe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takim me kreun e këtij subjekti, Isa Mustafa, raporton Gazeta Express.
Mustafa ka thirrur mbledhje urgjente të partisë për në orën 14:00, derisa në të do të marrë pjesë Kryesia e partisë, merr vesh T7.
Kjo mbledhje e LDK-së vjen një ditë pas rezultatit të zgjedhjeve në Podujevë, me ç’rast kandidati i kësaj partie për kryetar të komunës, Nexhmi Rudari, është radhitur i dyti, duke e humbur për herë të parë pushtetin e Lidhjes Demokratike në këtë komunë.
Pas rezultatit, Mustafa tha për media se do ta kthejnë këtë komunë në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021.
“LDK-ja ka nevojë ta rimendojë qasjen e vet, sidomos ndaj kërkesave dhe nevojave të të rinjve, ka potenciale shumë më të mëdha të kuadrove sesa VV, prandaj mund të ofrojë zgjidhje për ta rikthyer Podujevën qysh në tetorin e vitit të ardhshëm”, tha Mustafa.Express