Partia Demokratike e Kosovës duket se është bindur që ta votojë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike me disa amandamente të iniciuara nga ta. Për këtë ata janë dakorduar me Qeverinë dhe ky projektligj është planifikuar të votohet këtë të premte.
Përmes një konference për media, kreytari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka treguar pikat që PDK-ja do t’i fus në këtë projektligj, që përfshin pagesa nga 300 euro për ata që i kanë humbur vendet e punës, fond 200 milionë euro si ndihmë për bizneset, rimbursime në paratë që nxjerren nga Trusti e heqje të TVSH-së për disa produkte, raporton Gazeta Express.
“Duhet të themelohet një fond i veçantë i cili iu mundëson firmave, ndërmarrjeve që ti paguajnë ata të punësuarit në sektorin privat që i kanë humbur vendet e punës dhe shuma që duhet të jepet të jetë rreth 300 euro në muaj në këta tre muajt e fundit meqë ka numër të madh të qytetarëve që janë prekur… Është fjala për muajt shtator, tetor, e deri në nëntor. Sipas kalkulimit tonë, duhet të jenë rreth 30 mijë njerëz që përfitojnë nga ky fond”, tha Hoxha.
Tutje, ai foli për fondin tjetër si ndihmë për bizneset
“Duam që të themelohet një fond rreth 200 milionësh që do të jetë ndihmë direkte për bizneset. Mjetet do të shpërndahen në formë të grantit… Mbi 50 mijë biznese do të mund të përfitojmë”, tha ai, duke shtuar se do të formohej një komision që do t’i shqyrtonte kriteret.
“Propozimi ynë është që mjetet e tërhequra nga trusti prej qytetarëve të kompensohet nga shteti”, ka shtuar tutje Hoxhaj.
Propozimi i fundit i PDK-së ka qenë heqja e TVSH-së për lëndën e parë që prodhohet në Kosovë. /Express/