Isa Mustafa tallet me Haxhi Avdylin, e fut në një vend me Haki Abazin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një deklaratë i është kundërpërgjigjur ashpër deputetit të partisë së tij, Haxhi Avdyli, i cili dje e quante kreun e partisë “komunist të fundit nga ish-Jugosllavia deri tek ish-BRSS”.

Mustafa e ka krahasuar Avdylin me Haki Abazin e Vetëvendosjes, duke thënë se të merresh me ato se çka thonë këto dy personazhe, është si të biesh në gropë septike.

“Të merrem me deklaratat e Haxhi Avdylit dhe Haki Abazit është njëjtë si me rrëshqitë në gropë septike”, ka deklaruar Mustafa për Lajmi.net.

Ndryshe, “komunist” e “ministër i fundit i krahinës socialiste të Kosovës”, e quajti dje deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, kreun e partisë së tij, Isa Mustafa, pas një deklarate të këtij të fundit për Vjosa Osmanin në një debat televiziv.

Duke iu referuar me cilësime të tilla, Avdyli tha se Mustafa po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar në SHBA, në vendin simbol të demokracisë.

“Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia deri ish-BRSS, i shkolluar në Kumrovc, ministri i fundit i Krahinës Socialiste të Kosovës po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar në SHBA, në vendin simbol të demokracisë. Ja deri ku arriti mediokriteti i tij”, shkruante dje Avdyli.

Pakënaqësitë e Haxhi Avdylit me udhëheqësinë e LDK-së kanë nisur qysh më herët pas përçarjeve të para të Vjosa Osmanit me Isa Mustafën, Agim Veliun dhe të tjerët.

Avdyli është një nga deputetët që ka dalë kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat drejtuese në parti, e madje e ka përkrahur atë vazhdimisht dhe publikisht.Express