Facebooku do t’i fshijë lajmet e rreme për vaksinën kundër COVID-19

Facebooku njoftoi se do të hiqte postimet që përmbajnë pretendime të rreme për vaksinën kundër COVID-19. Këto masa merren në kuadër të përpjekjeve të kësaj kompanie për të luftuar dezinformimin në platformën e saj.

Gjigandi i mediave sociale, rregullisht heq informacione të pasakta dhe potencialisht të dëmshme në lidhje me virusin, dhe që nga tetori ka ndaluar reklamat që dekurajojnë njerëzit të marrin vaksinën, përmes së cilës synohet t’i jepet fund pandemisë.

“Kjo mund të përfshijë pretendime të rreme në lidhje me sigurinë, efikasitetin, përbërësit ose efektet anësore të vaksinave”, duke përfshirë “pretendimet e rreme se vaksinat COVID-19 përmbajnë mikroçipa, ose ndonjë gjë tjetër që nuk është në listën zyrtare të përbërësve të vaksinave” si dhe “teori konspirative” që janë dëshmuar si të rreme, bëri të ditur Facebooku.

Derisa pandemia e koronavirusit po intensifikohet në pjesën më të madhe të botës, vendet po përpiqen të sigurojnë furnizime të mundshme të vaksinave dhe po përgatisin plane për veprimet e para që do të ndërmarrin në javët e ardhshme.

Shpresat janë të mëdha se vaksinat mund të jenë gati për përdorim para fundit të vitit, me dy vaksina kryesore – nga Moderna dhe BioNTech/Pfizer – që tashmë kanë kërkuar miratimin për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.

Britania e Madhe ka miratuar vaksinën e kompanisë Pfizer dhe BioNtech dhe brenda ditësh do të fillojë procesin e vaksinimit të popullatës. KOHA