Kuvendi i Kosovës këtë legjislaturë po vazhdon të ballafaqohet me mungesë të kuorumit për votimin e ligjeve dhe rezolutave të shumta.
Mosmarrja pjesë në votim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është shndërruar në praktikë për këtë legjislaturë, e që ka ndikuar të grumbullohen pika të rendit të ditës që nga muaji gusht.
Organizatat që bëjnë monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, deklarojnë për KosovaPress, se rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës duhet të përfshijë ndëshkime financiare dhe ndëshkime të tjera për deputetët të cilët ani pse janë në sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votim duke e prishur kështu kuorumin.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pagë bazë kanë një mijë e 547 euro, pa llogaritur këtu mëditjet që ata marrin për pjesëmarrje në seanca dhe në komisione parlamentare, që duke përfshirë këto paga e tyre arrin deri në dy mijë euro.
Rregullorja aktuale e punës së Kuvendit të Kosovës nuk parasheh ndëshkime për deputetët që nuk marrin pjesë në votim gjatë një seance.
E një gjë të tillë po e kërkon Artan Demhasaj nga organizata Çohu.
Ai thotë se rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës duhet të parasheh sanksione për deputetët që nuk marrin pjesë në votim.
“Mendoj që po në rishikim të rregullores së Kuvendit duhet me u parapa kjo dhe duhet të sanksionohet kjo çështje për shkak se deputetët të marrin mandat nga qytetarët për ta përfaqësuar zërin e tyre, qoftë nëpër komisione apo edhe në seancat plenare të Kuvendit, qoftë me votën pro apo kundër në çka do që diskutohet aty dhe çka do që votohet. Nuk e konsideroj që është e drejtë fakti që deputetët fillimisht bëhen pjesë e komisioneve, nënshkruhen në listat që janë aty dhe pastaj përmes atij nënshkrimi e marrin edhe mëditjen meqë kanë qenë pjesë e mbledhjes së komisionit apo edhe seancës plenare dhe në momentin kur diskutohet një pikë e rendit të ditës për të cilën ata nuk pajtohen, ata automatikisht largohen dhe e prishin kuorumin e mbledhjes, qoftë komision apo në séance, në Kuvend. Pra, në momentin kur e nënshkruan listën dhe bëhesh pjesë e asaj mbledhje, mendoj që nuk ish dashtë me pas mundësi që më tutje pastaj në mes të mbledhjes t’i me dalë dhe me e prish kuorumin. Kjo mendoj që ish dashtë me u sanksionua me rregulloren e re të Kuvendit”, thotë ai.
Të njëjtën kërkesë që rregullorja e re e Kuvendit të përfshijë sanksione financiare për deputetët që nuk marrin pjesë në votim e ka edhe Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Nëse do të kishte një dispozitë të tillë brenda rregullores së Kuvendit, Haxhiu thotë se do të ndikonte në zhbllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që ta përfshijë një mekanizëm sanksionues financiar i cili do t’i sanksiononte deputetët të cilët nuk marrin pjesë në votim e para dhe e dyta nuk qëndrojnë gjatë gjithë kohës sa zhvillohen punimet plenare. Kjo nuk është një praktikë e re, sepse ka shumë parlamente edhe në vendet e Evropës po edhe në vendet e rajonit që e kanë një mekanizëm të tillë, si për shembull Kuvendi i Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë e kanë të integruar brenda rregullores së punës. Kjo në fakt ka qenë edhe një propozim dhe një përpjekje e legjislaturave të kaluara sidomos të pestës dhe të gjashtës kur është hartuar një rregullore e re, ndonëse ka dështuar për t’u miratuar. Mirëpo, ka pasur një përpjekje që të vendoset një mekanizëm i tillë që në një farë forme do ta rriste përgjegjësinë e deputetëve karshi detyrave që i kanë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që kjo të vendoset tash sa është koha duke u shqyrtuar rregullorja aktuale dhe është një farë mundësie që deri diku mund ta zhbllokonte këto sfidat me të cilat po përballet Kuvendi për çështjen e kuorumit, do të mund ta rregullonte deri në një farë mase”, thotë ajo.
Ajo thotë se që një gjë e tillë të ndodh, duhet të ketë vullnet nga partitë politike, por që thekson se deri më tani ka munguar.Reporteri