Ikona e basketbollit kosovar dhe Suharekës në veçanti, Agron Berisha, ka mohuar zërat që e lidhin atë me një rikthim te KB Golden-Eagle Ylli, shkruan Sinjali Sportiv.
Klubi i Yllit njoftoi për shkarkimin e Dragan Radovicit gjatë ditës së djeshme, vetëm pas shtatë xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës.
Nga këto shtatë xhiro nën urdhërat e Radovicit, suharekasit regjistruan katër fitore dhe tri humbje, duke u renditur momentalisht në pozitën e tretë.
Pas shkarkimit të tij, mënjëherë filluan spekulimet për trajnerin e ri, teksa emri më i lakuar ishte Agron Berisha, i cili po kërkohet edhe nga tifo-grupi ‘Xhebrailat’.
Mirëpo, deri më tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me një rikthim të tij te klubi Ylli.
Kjo është konfirmuar për Sinjalin Sportiv nga Agron Berisha, i cili mohoi të këtë patur negociata ose thirrje nga krerët e klubit të Yllit.
Ndryshe, Agron Berisha në të kaluarën ka qenë lojtar dhe trajner i Yllit, teksa nga tifozët vlerësohet si një legjendë e këtij klubi dhe qytetit të Suharekës. /Sinjali Sportiv/.