Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, u ka bërë thirrje shtetasve kosovarë që të kenë kujdes gjatë kalimit nëpër territorin e Servisë. Madje ka bërë thirrhe që të evitohen udhëtimet nëpër Serbi, raporton Albinfo.ch.
“MPJD u bën thirrje shtetasve kosovar që të jenë vigjilent gjatë kalimit nëpër territorin e Serbisë, i cili nuk ofron as siguri minimale fizike dhe juridike për ta, derisa sugjeron mundësisht evitimin e qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Ky njoftim vjen pas arrestimit të dy shtetasve kosovarë nga ana e policisë serbe afër pikë-kalimit kufitar Merdar.
“Kjo është edhe një dëshmi e radhës, që në raport me shtetin e Kosovës, Serbia nuk tregohet bashkëpunuese, në vazhdimësi bën provokime dhe tregohet se në realitet nuk është e interesuar për dialog dhe fqinjësi të mirë. Në dialogun e Brukselit janë vendosur kanale zyrtare të bashkëpunimit dhe komunikimit në mes të dy shteteve, përfshirë edhe ndihmën e ndërsjellë juridike, të cilat Serbia po i shkel në kontinuitet”, thuhet ndër të tjera në reagim.