Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka thënë se me modalitetet e llogaridhënies me përfshirjen e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë, do t’u vijë fundi dembelëve e të korruptuarve brenda sistemit të drejtësisë.
Selmanaj shtoi se qeverisë i janë ofruar katër modalitete nga grupi punues.
“Ne si qeveri na mbetet të vendosim njërën nga modalitetet që na janë ofruar nga grupi punues. Të zgjedhim njërën nga modelet që janë të përshtatshme për Kosovës. Jemi të bindur që me modalitetin që do të zgjedhim që po i vjen fundi edhe dembelëve të sistemit të drejtësisë, të korruptuarve brenda sistemit të drejtësisë dhe atyre që deri tash kanë pasur një qasje të papërgjegshme”, tha Selmanaj.
Ai shoi se do të vlerësohet edhe integriteti i personave të cilët kanë punuar për të mirën e vendit.
“Nuk po e themi që do ta rikthejmë besimin sepse për fat të keq për këto 20 vite nuk kemi pasur fare besim, perceptimi jashtë është që organet e drejtësisë nuk kanë arritur që të bindin njerëzit në Kosovë që ky shtet është shtet i së drejtës dhe bindja jonë është që do të ndërtojmë besimin e njerëzve në Kosovë në sistemin e drejtësisë”, tha tutje Selmanaj.
Gjatë ditës së sotme Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me zëvendëskryeministrin, Driton Selmanaj, si dhe kryesuesin e grupit punues, Florent Spahija, kanë prezantuar raportin e Grupit Punuese për adresimin e sistemit të llogaridhënies duke përfshirë edhe vetingun në sistemin e drejtësisë.
“Ky është vetëm hapi i parë për të krijuar një sistem më llogaridhënës dhe më të fortë për t’i mbrojtur prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm dhe për t’i larguar ata që nuk janë të ndershëm”, tha ministri Selimi.
Sipas ministrit Selimi, sistemi i llogaridhënies përfshirë edhe vetingun, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe nuk duhet të bëhet politik.
“Nëse duhet ta kemi një sistem të drejtësisë së pavarur dhe llogaridhënës duhet të bëhet duke i përfshirë ata. Nuk duhet të bëhet politik sepse preferencat politike ndryshojnë përderisa sistemi i drejtësisë duhet të jetë permanent”, tha ministri Selimi.
Ministri Selimi tha se beson që në muajin janar të fillohet implementimi i njërit nga modaliteteve të dala nga raporti i Grupit Punues për sistemin e llogaridhënies.
Ndërsa kryesues i Grupit Punues nga KDI, Florent Spahija, tha se raporti i dorëzuar përmban katër modalitete që lidhen me llogaridhënien duke përfshirë edhe vetingun.
“Ekspertiza jonë dhe e grupi punues ka bërë që të vijmë me katër modalitete. Modaliteti i parë është Status Quo, ajo ku jemi deri tash e që po shohim që nuk ka as vullnet për të vazhduar. Janë edhe tri modalitete tjera, si ndryshimet ligjore, modaliteti i vetingut të përhershëm dhe modaliteti gjithëpërfshirës që fillon menjëherë dhe kryhet pas pesë vitesh”, tha Spahija.Kallxo