Të shtunën dhe të dielën zhvillohen dy ndeshjet e mbetura në elitën e futbollit kosovar të cilat edhe pritet të vendosin për titullin e kampionit vjeshtor.
Këtë të shtunë luhet Ballkani – Gjilani, sfidë kjo që i takon javës së tretë por për shkak që Ballkani kishte disa lojtarë të ftuar në Përfaqësuesen e Kosovës u shty.
Kjo ndeshje që pritet të sjellë një luftë të madhe i është besuar gjyqtarit, Genc Nuza.
Në fakt Nuza me ndihmësit Granit Hyseni e Elvis Bicaj ishin deleguar më herët dhe “Zeri.info” mëson se ky delegim nuk pritet të ndryshohet. Gjyqtari i katërt do të jetë Dardan Çaka.
Ndërsa takimi tjetër shumë i nxehtë është ai ndërmjet Prishtinës e Dritës që luhet të dielën nga ora 13:30 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe i takon javës së parë, e cila u shty pasi Drita kishte obligime në garat ndërkombëtare.
Kjo ndeshje i është besuar gjyqtarit Selim Isufi i cili do të asistohet nga Besnik Morina e Elvis Bicaj ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Erdall Zasella.