Rreth një javë më parë, kur BAG e futi Portugalinë në mesin e vendeve me rrezik, portugezët që jetojnë në Zvicër qenë revoltuar keq.
Sipas listës, i binte që, në rast se ata gjatë festave të fundvitit do të shkonin për pushime në vendlindje, duhej të llogarisnin që me t`u kthyer në Zvicër, të mbylleshin në karantinë dhjetëditëshe.
Por tani ka shpresë: lista e karantinës do të ndryshojë përsëri sot, shkruan Blick, duke iu referuar “një burimi të mirëinformuar”. Kështu, disa vende do te dalin përsëri nga lista, e cila do të hyjë në fuqi të shtunën, më 19 dhjetor.
Propozime të reja aktualisht janë duke qarkulluar në zyrat kompetente, transmeton albinfo.ch. Sipas burimit të gazetës së përmendur, nga lista e rrezikut do të hiqen vendet e mëposhtme: Jordania, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia dhe Hungaria.
Por nga kjo listë do të dalin gjithashtu edhe rajone të caktuara të vendeve fqinje me Zvicrën, si: territori francez përtej detit Polinezia Franceze, rajoni italian Emilia-Romagna si dhe republikat (landet) federale austriake Kärnten, Austria e Epërme, Salzburgu dhe Steier.
Kjo do të thotë që asnjë republikë e Austrisë nuk është më zonë karantine për Zvicrën.
Por krahas kësaj, tashmë ka një listë tjetër që po qarkullon për konsultim në zyrat zvicerane, përcjell albinfo.ch. Një përshtatje e mëtejshme e listës është planifikuar për 28 dhjetor. Sipas propozimit aktual, Belize, Suedia dhe Turqia do të shtohen në listë. Por edhe Saksonia.
Maqedonia e Veriut ka qenë më së gjati nga vendet e Ballkanit Perëndimor në listën e karantinës në Zvicër. Kjo, për shkakun e numrave të mëdhenj të infeksioneve me koronavirus. Ajo nuk është hequr nga “lista e zezë” kur u hoq Kosova, në fund të shtatorit dhe as në përshtatjen e fundit, kur nga kjo listë u hoq Shqipëria.
Nëse Maqedonia do të hiqet nga lista e rrezikut, do të jetë vendi i tretë ballkanik jashtë kësaj liste, krahas Kosovës dhe Shqipërisë.Express