Sot, është Dita Kombëtare e Diasporës

Sot, më 18 dhjetor, është Dita Kombëtare e Diasporës.

Diaspora shqiptare luan një rol të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare. Duke qenë se ata janë ambasadorët më të mirë të vendlindjes, Albinfo.ch u uron të gjithëve Ditën Kombëtare të Diasporës, në veçanti ata në Zvicër.

Duhet theksuar se kjo është një ditë me simbolikë të veçantë dhe kuptim të shumëfishtë për shtetin shqiptar, i cili lidhjen dhe kontributin e diasporës e sheh dhe çmon si kontribut themeltar për ekzistencën dhe prosperitetin tonë kombëtar.

Roli i diasporës u vlerësua i jashtëzakonshëm për ekzistëncën e Shqipërisë dhe për çlirimin e Kosovës dhe më tej.

Historiku i Diasporës shqiptare është i hershëm. Vetë pozita e vendit ku jetojnë shqiptarët është e tillë që i bën ata të lëvizin në drejtime të ndryshme. Diaspora shqiptare është bukur heterogjene në dy pikëpamje, në pikëpamje të kohës së mërgimit si dhe në pikëpamje të regjionit prej nga kanë ardhur.

Puna, kontributi dhe në mënyrë të veçantë ndjenjat e tyre atdhedashëse janë gurthemeli për zhvillimin e mëtejshëm kombëtar. Zëri dhe forca e tyre janë mbështetje e fuqishme për institucionet dhe përfaqësimin shtetëror të shqiptarëve në botë, të cilat duhen forcuar e pasuruar ashtu si shumëfishohen dëshirat dhe ndjenjat e tyre fisnike për atdheun. Albinfo