Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se asnjë qytetar që kthehet nga vendet e tjera në Kosovë dhe që ka vendbanim në Kosovë nuk ka nevojë që me rastin e hyrjes në vendin tonë të këtë PCR test negativ.
Ky reagim i këtij institucioni vjen pas shpërndarjes së disa informatave nga disa individë në lidhje me këtë çështje.
Sipas reagimit të MSh, ky test u kërkohet atyre që nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet e ranguara si me “rrezik të lartë”, sipas klasifikimit që bën Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjes (ECDC).
“Asnjë qytetar i Kosovës që vjen në Kosovë, me apo pa PCR test, nuk i nënshtrohet kurrëfarë karantine apo izolimi 14 ditor, siç dezinfomohet. Ata që vijnë në Kosovë nga shtetet e klasfikuara me rrezik të lartë dhe që nuk kanë vendbanim në Kosovë, duhet të qëndrojnë për shtatët ditë në shtëpi (vetizolim) si masë parandalimi kundër përhapjes së virusit. Është shpifje e ulët, gjithashtu, të thuhet se qytetarët të cilët vijnë në Kosovë detyrohen të testohen këtu, aq më tepër në laboratore private”, thuhet në komunikatën për media.
Më tej kanë deklaruar se qytetarët të cilët nuk kanë vendbanim në Kosovë me rastin e hyrjes në Kosovë, e kanë testin e bërë në vendin prej nga vijnë, ndërsa ata që nuk e kanë këtë vetizolohen për shtatë ditë si masë kujdesi dhe në rast se manifestojnë shenja të pranisë së virusit, e kanë mundësinë që, sipas indikacioneve mjekësore të testohen në institucione publike, sikurse çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës.
“Me qëllim të shmangies së dezinformatave, MSh u bën thirrje qytetarëve që të informohen nga burimet zyrtare si Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme, ambasadat tona në vendet prej nga vijnë ata dhe shërbimet e tjera institucionale lidhur me masat në fuqi që kanë të bëjnë me COVID-19 dhe të injorojnë dezinformatat që vijnë nga individë të papërgjegjshëm dhe që nuk janë të vetdijshëm për dëmin që ua bëjnë pikërisht mërgimtarëve, duke i dezinformuar me qëllim apo nga mosdija”, përfundon reagimi i MSh.
Kujtojmë se një numër i madh i mërgimtarëve kanë hyrë dje në Kosovë, me rastin e festave të fundvitit./Kallxo.com