Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka njoftuar vetë se ka shkelur masat anti-COVID të vendosura nga ekzekutivi ku bën pjesë edhe ai.
Madje, ai ka treguar se ka paguar një gjobë të cilën ia shqiptoi Policia e Kosovës.
Me këtë rast, Selimi ka lavdëruar punën e forcave të rendit.
Ky është njoftimi i plotë i Selimit:
Është i vërtetë lajmi që sot jam dënuar për thyerje të masave qeveritare për pandeminë. Edhe pse sipas pikës 25.1 të vendimit për masa për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nga kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 janë të përjashtuar personeli i drejtësisë, kam pranuar ta paguaj dënimin, për shkak të sjelljes profesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Gentianit dhe ekipës së tij. Kosova ka një polici të respektuar dhe dënimi i shqiptuar ndaj meje dëshmon se në shtetin tonë askush nuk është mbi ligjin.