Suharekë: Paraburgim për 3 përsonat që rrahën dhe kërcënuan një tjetër

Caktohet masa e paraburgimit ndaj tre (3) të pandehurve, për veprat penale: mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve: përdorimi iarmës apo mjetit të rrezikshëm dhe lëndimi i lehtë trupor.

Prizren, 31 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve A.B., B.B.(I), dhe B.B.(II)., për shkak të dyshimit të bazuar se: – I pandehuri A.B., ka kryer veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së, dhe veprës penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 par.2 të KPRK-së– I pandehuri A.B., në bashkë kryerje me të pandehurit B.B.(I), dhe B.B.(II)., kanë kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 par.2 dhe 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konformdispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve i ‘u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurve do ti llogaritet prej datës 28.12.2020 deri me datën 27.01.2021.

Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilat dyshohen, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve A.B., B.B.(I), dhe B.B.(II)., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore  për caktimin e masës së Paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:- I pandehuri A.B., nga koha e pavërtetuar e deri me datë 28.12.2020, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, në shtëpinë e tij ka mbajtur armë, kësodore ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.– I pandehuri A.B., në bashkë kryerje me të pandehurit B.B.(I), dhe B.B.(II)., me përdorim të armës AK-47, të dy bishtave të lopatave dhe një lime (mjete të rrezikshme që mund të shkaktojnë lëndim të rëndë trupor ose dëmtim të rëndë të shëndetit), në Suharekë rreth orës 16:00, për shkak të mosmarrëveshjes së mëhershme, e godasin nëpër të gjitha pjesët e trupit, e sidomos në kokë dhe në fytyrë – familjarin e tyre të dëmtuarin S.B., të cilit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore, këso dore në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.– I pandehuri A.B., në vend dhe kohë të njëjtë (si më lartë) përdor armën në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese, në atë mënyrë që pasi e rrahin me djemtë e tij të dëmtuarin S.B., shkrep në ajër me pushkën AK-47 dhe i thotë “ kemi me të vra”, kësodore ka kryer veprën penale përdorim i armës.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. 

Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë, por duke pasur parasysh të lartcekurat, Gjykata në këtë fazë të procedurës penale gjeti se caktimi i paraburgimit është masë më e arsyeshme dhe e domosdoshme që i kontribuon efikasitetit të procedurës penale dhe caktimin e çfrarëdo mase tjetër që mund ta bënte gjykata do të ishte në kundërshtim me rrjedhën normale të hetimeve dhe rrezikun e përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale si pasojë e këtij rasti.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.