(EO) – Kosova mund të shpresojë për ndonjë lëvizje sa i përket liberalizimit të vizave tek në pjesën e dytë të vitit 2021, kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të kryesohet nga Sllovenia, por se kjo do të varet nga progresi që do të shënojë vendi në luftë ndaj korrupsionit dhe dialogut me Serbinë, ka vlerësuar Demush Shasha nga Instituti “EPIK”.

Sipas tij, Kosova s’mund të presë ndonjë gjë pozitive në gjashtëmujorin e parë të vitit kur Këshilli i BE-së udhëhiqet nga Portugalia, që sipas tij, s’e ka në prioritetet e veta Ballkanin.

“Ndonjë progres më të theksuar mund të presim ndoshta gjatë pjesë së dytë të vitit 2021, kur presidencën e BE-së e merr Sllovenia, e cila ka një afërsi të natyrshme me Ballkanin Perëndimor dhe me Kosovën. Nga Portugalia nuk duhet të presim shumë, pasi që edhe në kuadër të listës së prioriteteve që ka publikuar, shihet qartazi që Ballkani Perëndimor, s’është prioritet. Përtej asaj çfarë do të ndodhë në BE, duhet të shohim çfarë po bëjmë në Prishtinë. Kosova duhet të angazhohet për të bërë progres në kuadër të dialogut Kosovë -Serbi. E dyta, të bëhet progres i mjaftueshëm sa i përket luftimit të nivelit të lartë të korrupsionit. Nëse ne këto dy rrafshe, bëjmë progres të ndjeshëm mund të llogarisim që në pjesën e vitin 2021 të ketë progres sa i përket liberalizmit të vizave”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Kosova kishte shpresuar që në pjesën e dytë të vitit 2020 të fitonte liberalizimin e vizave, pasi Gjermania ishte udhëheqëse e BE-së. Por, Shasha thotë se pandemia ka ndikuar që prioritetet e vendeve të BE-së të rikthehen nga rimëkëmbja ekonomike dhe ruajtja e shëndetit të qytetarëve.

“Gjermania ka tentuar në kuadër të grupeve punuese të Këshillit të BE-së të shtyjë përpara çështjen e liberalizimit të vizave, por kjo tentativë s’ka pasur sukses për shkak që disa vende kanë thënë haptazi që Kosova s’ka përmbushur kriteret për liberalizmin e vizave , me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë”, shprehet ai.

Shasha vlerëson se 2020-a ka qenë një vit i humbur sa i përket agjendës evropiane. Pos mosliberalizimit, sipas tij, Kosova ka dështuar edhe në plotësimin e përmbushjes së reformave nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe agjendës evropiane.

Ai e ka cilësuar si epilog të dështuar edhe marrëveshjen e shtatorit në Washington.

“Marrëveshja e Washingtonit, kishte një epilog të dështuar për shkak të një zanafille të gabuar. Ne u nisëm për një marrëveshje për njohje nga Serbia dhe u kthyem me një marrëveshje ku e njohëm mini-Schengenin dhe të drejtën e Serbisë për resurset e Kosovës. Në takimin e Washingtonin, janë barazuar kërkesat legjitime të Kosovës me kërkesat jo legjitime të Serbisë”, është shprehur Shasha.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT