Kosova do të ballafaqohet me një mori sfidash gjatë vitit 2021 dhe ato do të nisin që me fillimin e vitit, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, mbajtja e të cilave pritet të shpallet së shpejti, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike Donika Emini dhe Agon Maliqi.

Sipas tyre, qeveria e re e vendit, e cila pritet të dalë pas këtyre zgjedhjeve, do të trashëgojë sfidat dhe problemet që ka vendi, me të cilat janë përballur edhe tri qeveritë paraprake, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë të jashtëm.

Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ra pas dorëheqjes së tij në gushtin e vitit 2019. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, u rrëzua pas mocionit të mosbesimit në fund të marsit të vitit 2020. Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 21 dhjetor, 2020 e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.

Sfida për krijimin e qeverisë, ngritja ekonomike dhe politika e jashtme

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet me të cilat janë ballafaquar tri qeveritë e kaluara, vazhdojnë të jenë ende sfida, sikurse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimi ekonomik, por edhe dialogu me Serbinë. Për më shumë, sipas saj, këtyre problemeve u është shtuar edhe rimëkëmbja ekonomike e vendit nga pasojat e pandemisë së koronavirusit, si dhe sigurimi i vaksinave kundër sëmundjes COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi.

Por, për t’i adresuar të gjitha problemet, siç thotë ajo, fillimisht vendit do t’i nevojitet formimi i qeverisë së re menjëherë pas zgjedhjeve, gjë që sipas saj do të jetë sfidë më vete. Kohëzgjatja e formimit të qeverisë, sipas Eminit, i mban pezull jo vetëm funksionimin e brendshëm të Kosovës, por edhe dialogun me Serbinë.

“Qeveria e re, për t’u krijuar, mund të jetë sfidë për shkak të polarizimit të brendshëm të elitës politike në Kosovë. Nuk mbaj mend që ka pasur polarizim më të skajshëm të elitës politike. Kjo është vërejtur që nga marsi, kur është rrëzuar qeveria e (Albin) Kurtit. Pastaj kjo ka vazhduar dhe kemi pasur edhe opozitë të fragmentuar, mirëpo kemi pasur edhe qeveri me partnerë të koalicionit, të cilët kanë qenë të fragmentuar dhe që kanë diskutuar dhe kanë punuar me drejtime krejtësisht të kundërta prej njëri-tjetrit. Me krejt këtë konstelacion, do të jetë problem formimi i koalicionit të ardhshëm apo edhe gjithë procesi zgjedhor do të jetë sfidues”, tha Emini.

Ajo ka shtuar se sfidën për formimin e qeverisë së re do ta komplikojë edhe më shumë çështja e zgjedhjes së presidentit të vendit, gjë që do t’i përplasë, por edhe do t’i detyrojë për pazare politike partitë që do të luftojnë për pushtet.

Partitë politike, të cilat deri më tash kanë qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, gjithashtu në vazhdimësi kanë debatuar, por edhe polemizuar lidhur me mënyrat e zbutjes së pasojave ekonomike dhe sociale që i ka shkaktuar vendit përballja me pandeminë e koronavirusit.

Analisti Agon Maliqi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë që pavarësisht se kush do ta drejtojë vendin, përballë do ta ketë pikërisht këtë sfidë, por edhe politikën e jashtme të vendit, e që nënkupton, dialogun me Serbinë.

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT