Ngjarjet që karakterizuan vitin 2020 në Kosovë

Viti 2020 në fushën e ekonomisë është karakterizuar kryesisht me debatin për rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19.

Përveç kësaj, nënshkrimi i marrëveshjes së linjës ajrore e riaktivizimi i hekurudhës dhe asaj të Washingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, heqja e tarifës 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake, pavarësimi energjetik i Kosovës, dështimi i për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, skandali i mbi dy milionë eurove në Thesar, miratimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe miratimi i Buxhetit për vitin 2021 ishin disa nga ngjarjet që u shënuar gjatë këtij viti në vend, shkruan Telegrafi.

Qysh në fillim të vitit, pra më 20 janar, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenel ishte nënshkruar Letra e Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Pas arritjes së marrëveshjes, një reagim kishte ardhur edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke e konsideruar këtë si historike.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe ambasadorit Richard Grenell”, kishte shkruar Trump në Twitter.

Pas gati 18 muaj, më 20 mars, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Albin Kurti, kishte larguar tarifën 100 për qind, e cila ishte vendosur nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, për ta zëvendësuar me parimin e reciprociteti ekonomik.

Menjëherë pas këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kërkuar që të hiqet plotësisht reciprociteti, ku Qeveria e Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Avdullah Hoti, e largon në tërësi këtë masë, shkruan Telegrafi.

Viti 2020 do të mbahet mend për dështimin e një projekti të nisur më shumë se një dekadë më parë, por që asnjëherë nuk u finalizua. Ky është projekti i ndërtimit të “Kosova e Re”.

Termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro, ishte paraparë të fillohet të ndërtohej në këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Por, në mars të këtij viti, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e tij, u tërhoq nga projekti.

Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë. Jetëgjatësia e tij ishte llogaritur të jetë 40 vjet.

Shpesh, projekti ishte kundërshtuar nga disa përfaqësues të shoqërisë civile.

Kosova më 20 prill 2020 kishte fituar pavarësinë energjetike, duke u nënshkruar marrëveshja ndërmjet Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Energjinë Elektrike./Telegrafi.com