Stadiumi “Air Albania”, qendër e vaksinimit anti-COVID në Shqipëri

Stadiumi “Air Albania” në Tiranë është shndërruar në qendrën e parë të vaksinimit anti-COVID në Shqipëri. Nga një stadium që pret tifozë, tashmë “Air Albania” ka marrë pamjen e një klinike gjigante shëndetësore. Mbi tribunat janë sistemuar tavolina me tabelat “Shqipëria buzëqesh”, ku qytetarët do të vihen në radhë për ta bërë injeksionin.

“Në instalim e sipër, qendra e parë e vaksinimit anti-COVID-19 në “Air Albania Stadium”. Së shpejti nisim vaksinimin e bluzave të bardha, që synojmë ta fillojmë më parë sesa parasheh afati kontraktual me Pfizer për javën e tretë të janarit, përmes punës intensive diplomatike në shumë drejtime”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.

Në prag të ndërrimit të viteve, Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer.

“Kemi dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer. Sasia e dakordësuar do të paguhet menjëherë në bazë të termave dhe të procedurës tip të kompanisë Pfizer me të gjitha vendet pa përjashtim. 10.750 dozat e para të kësaj kontrate do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit. 30.250 doza të tjera do të vijnë në shkurt e të tjerat me radhë, muaj pas muaji, në bazë të planit të vaksinimit”, ka bërë të ditur Rama.

Kryeministri ka bërë me dije në ditën e parë të vitit 2021 se dy vende partnere kanë shprehur gatishmërinë për sigurimin e 9000 dozave në gjysmën e parë të janarit. Ai nuk i ka bërë të ditur emrat e vendeve donatore.

“Nuk mund t’i përmend emrat, sepse sot nuk e dimë nëse dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer do të ndikojë ose jo në finalizimin e këtyre operacioneve solidariteti nga ana dy qeverive mike, të cilat nuk na lanë vetëm në këto kohëra egoizmi dhe cinizmi të frikshëm për kontinentin ku jetojmë, kur ende nuk dukej drita jeshile që u ndez mbrëmë. Njëkohësisht me dy shtete të tjera po negociojmë për një sasi tjetër vaksinash nga Pfizer dhe AstraZeneca. Besoj se shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultatin e këtyre negociatave”, ka thënë Rama.

Ai e ka cilësuar vendimmarrjen e BE-së që përjashton vendet e Ballkanit nga procesi i vaksinimit si absurde, të papranueshme moralisht, të pakuptueshme politikisht dhe të pajustifikueshme edhe logjikisht.

“Si njeri jam ndier i indinjuar dhe si evropian jam ndier i turpëruar, ndërsa si kryeministër i Shqipërisë jam ndier më i motivuar se kurrë për të mos lejuar që shqiptarët të ndihen të përjashtuar nga mundësia për t’u mbrojtur njëkohësisht me evropianët e tjerë në këtë luftë botërore me rrezikun e vdekjes”, ka deklaruar Edi Rama.

Por, ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit, Shqipëria, sipas kreut të qeverisë, Rama, nuk do t’ia kthejë shpinën Kosovës duke e lënë në pritjen dhe në ankthin torturues të fillimit të vaksinimit.

“Kosovës do t’ia dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të Spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë në Tiranë. I kam kërkuar ministres së Shëndetësisë të komunikojë menjëherë me homologun në Kosovë, për të mundur të vendosim sasinë e mundshme për personelin e Spitalit COVID të Prishtinës. Sado që as nuk jemi të pasur, as nuk kemi kaluar në këtë det ku vazhdojmë të ecim në këmbë, ne shqiptarët nuk e kemi pasur në traditë, nuk mund ta kemi dhe nuk duhet ta kemi kurrë pjesë në mënyrën tonë të të jetuarit, as në këtë botë egoiste, kthimin e shpinës ndaj tjetrit në nevojë, apo kur na bie i njëjti hall me tjetrin”, ka thënë Rama.

Vaksinimi në Shqipëri do të nisë në fillim me personalin shëndetësor, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat mbi 75 vjeç.Koha

Image

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT