Javën që lamë pas Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka certifikuar listat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve në lista që sipas KGJK-së kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.

KQZ javë e kaluar ka publikuar numrat me të cilët ka telefonuar diasporën, ndërsa deri tani rreth 65 mijë persona nga diaspora kanë aplikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Po javën që lamë pas, pas paralajmërimeve për grevë dhe disa javë para zgjedhjeve, Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka nënshkruar marrëveshjen për kontratën kolektive në arsim.

Po ashtu, janë shfaqur mospajtime ndërmjet ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti rreth emrit për shefin e ri të AKI-së.

Vazhdon procesi i verifikimit të aplikuesve jashtë Kosovës, KQZ publikon numrat me të cilët thërret diasporën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka publikuar 25 linja telefonike me të cilët thërret diasporën, në kuadër të procesit të verifikimit të aplikuesve për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror Zgjedhor, ka bërë të ditur se nga afati i hapjes për aplikim deri në ora 12 të pasdites së të dielës, janë regjistruar rreth 65 mijë aplikime nga diaspora për votim në zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit.

“Deri më sot, në orën 12, në sistem janë futur rreth 65 mijë aplikacione deri më sot, që nga koha kur ka filluar periudha e aplikimit për votim në zgjedhjet e Kosova. Të aprovuara janë rreth 35,200 aplikacione. Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 20 mijë, deri në orën 12, janë rreth 85 mijë e-maila të pa-hapura”, ka deklaruar Elezi.

Prokuroria Speciale kundërshton lirimin e Kadri Veselit nga paraburgimi

Të martën, më 19 janar, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka çuar argumentet e saj në Gjykatën Speciale të premten për ta kundërshtuar kërkesën e Ben Emmerson, avokatit të Kadri Veselit, për ta liruar përkohësisht nga paraburgimi ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Në një përgjigje të gjatë të Prokurorisë Speciale që mban në fund firmën e kryeprokurorit Jack Smith, janë renditur argumentet se pse Veseli, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.

Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të Veselit me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ai nuk duhet të lirohet as përkohësisht.

Lirimi i të akuzuarve në rastin “Veteranët”, arsyetimi i gjykatës

Gjykata Themelore në Prishtinë të martën, më 19 janar ka shpallur aktgjykim lirues në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzoheshin ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Aktgjykimi në fjalë është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor nuk ishte vërtetuar se të akuzuarin kishin kryer veprat penale ashtu siç pretendonte Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Dyshime për variantin e ri të coronavirusit në Kosovë – IKSHPK dërgon për verifikim 30 mostra në Gjermani

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka nisur 30 mostra për analiza më të thella në Gjermani, për shkak të dyshimit të variantit të ri të coronavirusit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Xhevat Jakupi, drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK.

“30 monstrat janë nisur ditën e hënë”, konfirmoi ai. Mostrat do të dërgohen në Universitetin “Charite” në Berlin, i cili është një nga laboratorët referent të   OBSH-së.

Verifikimi i listave, 47 kandidatë për deputetë kanë problem me ligjin

Në përgjithësi janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit.

Kështu ka bërë të ditur Valmir Elezi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatisë Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, raporton Telegrafi.

“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për çertifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, thuhet në njoftim.

Avullimi” i 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, gjykata ia vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin Labinot Grudës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Labinot Grudës i dyshuar për rastin e vjedhës së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr aktvendim dhe të pandehurit L.G i ka vazhduar masën e paraburgimit prej datës 18 janar 2021 deri me datë 17 mars 2021”, ka thënë Gashi.

Kujtojmë se në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte vazhduar paraburgimin Labinot Grudës dhe të dyshuarit tjetër, Kadri Shalës edhe për dy muaj, ku Grudës i ishte vazhduar deri më 18 janar 2021, kurse Shalës deri më 24 janar 2021.

Vjedhja e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit ndodhi në tetor të vitit 2020, ku përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja tashmë në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, ajo bëri të ditur se nga Thesari i Shtetit ishin “avulluar” më tepër se 2 milionë euro.

Pa dhënë shumë detaje ministrja tregoi se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.

Në anën tjetër Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë ende detaje shtesë se çfarë ka ndodhur me procesin e hetimit për këtë rast.

Telegrafi shumë herë ju ka dërguar pyetje Prokurorisë, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjëherë përgjigje.

Hoti: S’do ta pranoj propozimin e Osmanit për shefin e ri të AKI-së

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, nuk do ta pranojë propozimin e ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani për drejtorin e ri të AKI-së.

Ai ka thënë se emri që Osmani e ka propozuar nuk e ka përvojën e nevojshme për të marrë një përgjegjësi të tillë.

“Nuk jemi dakorduar. Nuk ka dakordim për personin që duhet të emërohet në pozitën e drejtorit të AKI-së. Ligji kërkon që brenda 20 ditësh nga momenti që lirohet pozita të emërohet. Nuk do të arrijmë që ta zgjedhim drejtorin në këtë mandat qeverisës. AKI-ja vazhdon punën e vet, është zëvendësdrejtoresha e cila po e kryen punën e saj plotësisht”, ka thënë Hoti.

“Nuk do ta pranoj propozimin e Vjosa Osmanit. Nuk mund të pranoj njerëz, nuk po them anonimë, pa përvojën dhe maturitetin e nevojshëm për të marrë përgjegjësi të tilla, sepse është tepër e rëndësishme dhe e ndjeshme kjo pozitë. Unë vlerësoj që ai propozim nuk e ka dakordimin tim”.

Qeveria dhe SBASHK-u arrijnë marrëveshje për Kontratën kolektive

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka bërë të ditur të premten se me përfaqësuesin e Sindikatës së Bashkuar të Arismit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj kanë rënë dakord për kontratën kolektive për arsim.

Hoti në një konferencë për media tha se janë dakroduar për të gjitha çështjet.

“I kemi dakorudar të gjitha çështjet në kuadër të kontratës kolektive për arsim, duke i saktësuar të gjitha aspektet kryesore”, tha Hoti.

Në këtë kontratë u tha se janë saktësuar çështjet lidhur me themelimin e marrëdhënies së punës, avancimin, kriteret e punësimit, të drejtat e mësimdhënësve, koha e punës, etj.

Po ashtu do të paguhet paga e 13-të për arsimin parauniveristar, duke filluar nga viti 2023 dhe kjo sipas tij do të lidhet me performancën në arsim. Gjithashtu Qeveria dhe SBASHK-u kanë rënë dakord për shujtën ditore dhe shpenzime e transportit.

KQZ-së i rekomandohet të certifikojë listën e kandidatëve për deputetë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, të premten ka njoftuar se kanë pranuar rekomandimin për certifikimin e kandidatëve për subjektet politike dhe kandidatët e tyre.

Daka në këtë mbledhje kërkoi informata shtesë lidhur me këtë çështje.

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, tha se të gjitha subjektet i plotësojnë kushtet për certifikim, ndërsa tha se ka kandidat që mund të kenë probleme me ligjin, por nuk kanë mundur të verifikojnë a kanë me të vërtetë probleme.

“Të gjitha subjektet i plotësojnë kushtet, ka kandidat që mund të kenë probleme, por nuk kemi mundur të verifikojmë a kanë me të vërtetë probleme…”, tha Buleshkaj.

Mirëpo, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se ky rekomandim nuk e sqaron se cili kandidat i plotëson kriteret e cilët jo.

“Nuk e kemi të qartë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet e cilët jo. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim është ajo që e bënë filtrimin dhe e dërgon rekomandim. Kërkesat i janë dërguar të gjitha institucioneve dhe pastaj është kërkuar nga subjektet politike që të zëvendësohen kandidatët që nuk i kanë plotësuar kriteret. Rekomandimin që e kemi sot nuk na shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret e apo jo”, tha Daka.

Nuk kalon në KQZ rekomandimi i Zyrës për Certifikim në pako të listave të partive politike

Nuk ka kaluar në KQZ rekomandimi i  Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për të regjistruar në pako listat e subjekteve politike pasi vetëm 5 anëtarë e kanë votuar këtë propozim. Kundër kanë votuar 6 anëtarë të KQZ-së. Kryetarja e KQZ-së ka thënë se për të kaluar ky propozim duhet të votojnë së paku 8 anëtarë të KQZ-së.

Debate të shumta janë zhvilluar mes anëtarëve të KQZ-së në lidhje me formatin se si do të do të certifikohen kandidatët e subjekteve politike.

Derisa LVV ka kërkuar votimin në pako për certifikimin e subjekteve politike, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka dhe anëtarët e PDK-së dhe LDK-së në KQZ kanë kërkuar që certifikimi i kandidatëve të subjekteve politike të bëhet veç e veç ashtu siç ishin praktikat e mëparshme.

Anëtarët e LVV në KQZ kanë thënë se certifikimin në pako të listave të partive politike e ka rekomanduar Zyra për Regjistrimin e Partive Politike.

KQZ nuk certifikon listat e Vetëvendosjes, AAK-së e Nismës

KQZ nuk ka certifikuar listat e kandidatëve të LVV-së, AAK-së e Nismës për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve në lista që sipas KGJK-së kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar veç e veç listat e kandidatëve të subjekteve politike.

KQZ nuk ka certifikuar listat e Nismës dhe LVV-së për shkak se kanë pasur kandidatë që Këshilli Gjyqësorë i Kosovës ka konstatuar se kanë dënime në tri vitet e fundit.

Daka ka thënë se LVV ka pesë kandidatë që nuk i ka zëvendësua në listë.

Vetëm pesë anëtarë të KQZ-së kanë votuar pro për të certifikuar listën e LVV-së.

“Pesë vota për, nuk certifikohet lista”, ka thënë Valdete Daka.

Ndërkohë janë certifikuar listat e subjekteve politike LDK, PDK, Lista serbe, Lista “Romani Iniciativa”, JGP, PREBK, SDU, Partia Balliste, IRDK, KDTP, PAI, NDS, VAKAT, FJALA e disa parti dhe lista tjera. /Telegrafi/

Zgjidhni kandidatëttuaj të preferuar për deputet nga Suhareka! 🗳️

Kandidati juaj i preferuar per Kryeminister?

TE FUNDIT