Një muaj paraburgim është caktuar për të pandehurin R.A., në Prizren nën dyshimet se ka therur me thikë një person.
Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit R.A., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer ajo dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.
Sipas prokurorisë, para dy ditëve, i pandehuri R.A., derisa ishte duke u kthyer nga puna me të dëmtuarin Rr.K, në të njëjtin autobus kishin filluar fjalosjen dhe pasi kanë zbritur nga autobusi, i pandehuri R.A., e ka goditur me thikë në abdomen të dëmtuarin.
Sipas Gjykatës Themelore në Prizren, fakti që i pandehuri me të dëmtuarin njihen dhe janë kolegë në punë, të njëjtit edhe para një jave kanë pasur një konflikt verbal, ndërsa në ditën kritike fillimisht janë fjalosur në autobus, kurse më pas i pandehuri e sulmon duke e goditur me thikë, argumenton faktin se raportet ndërmjet të të pandehurit dhe të dëmtuarit kanë qenë jo të mira.
“Ky fakt forcon bindjen e gjykatës që i pandehuri sërish do të mund të vepronte në mënyrë të njëjtë apo në mënyrë edhe më të ekzagjeruar, që do të shkaktonte pasoja edhe më të rënda për të dëmtuarin apo personat e afërm të tij”, thuhet në njoftim.