Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ju njofton se pavarësisht insistimit të madh nga ana e saj tek Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Final 8 Kupën e Kosovës, që do të zhvillohet nga 3 deri më 7 Shkurt në Suharekë, nuk do të lejohen shikuesit dhe do të respektohet vendimi i Qeverisë së Kosovës, që në palestër duhet të jenë maksimumi 50 persona, duke përfshirë këtu lojtarët, trajnerët, gjyqtarët, zyrtarët e ndeshjes dhe zyrtarët e FBK-së.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka kërkuar dhe ka insistuar tek Ministria e Shëndetësisë disa herë që të lejohen të paktën 200 shikues, të cilët do të respektonin masat, si distanca sociale dhe bartja e maskave, megjithatë, vendimi nga MSH nuk ka ndryshuar.
Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me klubit organizator, Golden Eagle Ylli do të bëjë çmos që këto rregulla të respektohen dhe të mos ketë probleme.
Rrjedhimisht edhe mediat nuk do të lejohen në palestër, megjithatë, Federata e Basketbollit të Kosovës do të përkujdeset që tu ofrojë statistikat ‘LIVE’ në uebfaqen e saj zyrtare, raportet e ndeshjeve, fotografitë dhe deklaratat pas ndeshjes.