Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se pas ardhjes së vaksinës antiCOVID, normaliteti në vend do të kthehet në muajt qershor dhe korrik.
Zemaj, gjatë një vizite në Spitalin e Vushtrrisë, ka thënë se presin që gjatë këtij viti të angazhohen 1000 persona staf i mesëm në Spitalet e Kosovës.
“Iu kemi dhënë zgjidhje shumë problemeve që kanë qenë të trashëguara. Ekspertët tanë, politikat e MSH-së, arritën ta vënë në përdorim plazmën për trajtim me COVID-19.
Spitali i Vushtrrisë na ka ndihmuar shumë në menaxhimin e pandemisë”, tha ministri në detyrë i Shëndetësisë.
Zemaj tha se vaksina kundër COVID-19 po vjen në Kosovë.
“Vaksina po vjen, prioritet i vaksinimit do të jetë personeli shëndetësor dhe shpresojmë së në qershor dhe korrik t’i kthehemi normalitetit në vend. 1000 persona staf të mesëm do t’i angazhojmë gjatë këtij viti”, tha ndër të tjera ai.
Ndryshe, në Kosovë po vazhdon një rritje e lehtë e rasteve aktive me virusin Korona.
Edhe në 24 orët e fundit, numri i rasteve të reja me koronavirus ishte më i lartë sesa numri i pacientëve të shëruar.
Gjatë këtyre 24 orëve, nga 1951 persona të testuar për virusin COVID-19, 284 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Ndërsa, numri i pacientëve të shëruar për këtë periudhë kohore ishte më i ulët (224).