Nisma Socialdemokrate e ka mbajtur sot tubimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 shkurtit në sallën e Sportit të shkollës “Fadil Hisari” në Prizren.
Kandidati për kryeministër i këtij subjekti politik, Fatmir Limaj, ka thënë se data 14 shkurt do t’i prishë kalkulimet e atyre që kanë tentuar ta shuajnë zërin çlirimtar të Kosovës.
“Zëri, shpirti dhe zemra e çlirimtarit asnjëherë nuk duhet të pushojë. Ajo duhet ta na udhëheqë në detyrat tona publike dhe në jetën tonë të përditshme. Kemi vizituar njerëz të profileve të ndryshme dhe të gjithë kemi ndarë shqetësimin se ka filluar të zbehet ajo mbi të cilën është ndërtuar shteti yn” tha Limaj gjatë fjalimit të tijë.
Luftëtarët duan që të respektohet, nderohet dhe vlerësohet historia jonë që e ka sjellë pavarësinë e Kosovës. Na kanë inkurajuar që të vazhdojmë me këtë kauzë. Sot ne ndihemi të plotësuar si ekip i cili e ka kthyer këtë kauzë në epiqendër të fushatës elektorale”.
“Limaj duke aluduar në kundër-kandidatët e tij, ka shtuar se ata nuk e njohin popullin e tyre – ata janë larguar nga zëri çlirimtar duke menduar se iu kushton në fushata elektorale. Sipas tij, ata nuk e dinë se nëpër çka ka kaluar populli i Kosovës për të ardhur deri tek liria.
“Më shumë se kurrë ka nevojë për një mbështetje masive nga kjo zonë e vuajtur e krenare. Ftesa ime është për ju miq e bashkëluftëtarë, ju ushtarët e Remzi Ademit e Xhevat Berishës, do të shkoni prapa Zafir Berishës apo Enver Hoxhës?
“Ju shokë të luftës, nga do të rreshtoheni, me ata që ishin gjithmonë me ju apo me ata të cilët kur ju sakrifikoheshit, ju shikonin nga kryeqytetet Evropës, ju fyenin dhe ju shanin për sakrificën që e bënit?”.
“Edhe ushtar i Remziut e i Xhevatit, e tani i rreshtuar te Enveri, nuk shkojnë bashkë, një drejtim duhet marrë të dielën”.
“Hajde burra rreshtohemi sikur në vitet 1998-99 e t’i japim fund kësaj pune”.
Sipas tij, bashkëluftëtarët janë ngritur të gjithë në këmbë që zërin e çlirimtarëve fuqishëm ta dërgojnë në Parlamentin e Kosovës.
“Ne jemi të ndërtuar me atë brumë që kur Kosova ka nevojë, ne nuk shikojmë parti dhe interesa të ngushta – kështu kemi bërë në vitet 1998-99. Jemi bashkuar nga rrethana e shtresa të ndryshme të popullit”.
“Numri 121 nuk është numër i një njeriu ose partie, është numër i çdo ushtari, dëshmori e invalidi. Është numër i krenarisë dhe i fitores”.
“Aty ku nuk votohet me zemër, nuk bën as me dorë të votohet. Ne ju themi se askush më mirë dhe në mënyrë më të vendosur sesa ne këtu nuk i mbron këto vlera qoftë brenda dhe jashtë vendit”.