Nga 6 deri 50 mijë euro mund të jetë dënimi për VV-në pasi theu heshtjen zgjedhore

Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka thyer heshtjen zgjedhore, duke mbajtur një tubim me përkrahës të kësaj partie në një nga hotelet e Prishtinës.

Në një video të publikuar në mediet vendore, shihet entuziazmi i të pranishmëve në momentin kur hyn në sallë lideri i partisë, njëherit kandidat për kryeministër, Albin Kurti.

Të njëjtit mbanin në duart e tyre pankarta e rekuizita të ndryshme, përmes të cilave bënin thirrje që të votohet LVV-ja dhe kandidati i saj për shef të ekzekutivit në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Por sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për këtë shkelje partia e Kurtit mund të gjobitet nga 6 mijë deri në 50 mijë euro.

Kjo pasi që gjobat për subjektet politike varen nga disa kritere dhe nga mënyra se si është thyer heshtja zgjedhore.

Ndryshe, sot në ora 07:00 ka filluar heshtja zgjedhore e cila zgjat 24 orë, saktësisht deri në ora 07:00 të së dielës, kur qytetarët e Kosovës me të drejtë vote edhe do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Gjatë heshtje zgjedhore, partive politike u ndalohet të bëjnë fushatë në çfarëdo mënyrë për hedhjen e votës apo ndikim tek votuesit.