Mbrëmë ka përfunduar numërimi i votave të rregullta në tërë vendvotimet e vendit.
Të numëruara janë gjithsej 791.288 vota, ku nga to, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 47.85 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 17.41, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.08, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.43 dhe Nisma 2.60 për qind.
Por ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato nga diaspora.
Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se ende nuk ka një date se kur do të numërohen këto vota.
“Ndonjë datë nuk kemi. Gjatë periudhës së votimit të proceseve përmes postës KQZ, shërbimi votues ka pranuar rreth 43 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime jashtë vendit. Brenda disa ditësh fillon verifikimi, shqyrtimi i tyre, dhe kur fillon numërimi fillon hapja e zarfeve. Atëherë do të dihet sa fletëvotime janë brenda pakove, ku do të dihet saktë numri i fletëvotimeve jashtë vendit”, ka thënë Elezi sot në një konferencë për media, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se pas këtij procesi, numërimi i votave me kusht e atyre nga diaspora kryhet brenda dy dite.
“Numërimi i tyre bëhet shpejt, më së shumti dy ditë, dhe rezultati i tyre i bashkohet rezultatit të vendvotimeve”, ka thënë Elezi.
Ai më tej ka thënë se aktualisht janë duke u zhvilluar disa procedura në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve siç është skanimi i listës përfundimtare të votuesve në mënyrë që të bëhet krahasimi në vendvotim të rregullt dhe në vendvotim të dyfishtë për të parë nëse një person ka votuar dy here.