Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot në një bisedë me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve janë të një rëndësie të madhe për të gjithë rajonin dhe theksoi “mini-Schengenin” si shembull i suksesshëm i bashkëpunimit.
Vuçiq veçoi gjithashtu rëndësinë e memorandumit të nënshkruar nga Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria, i cili mundëson ndihmë të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sistemeve të tyre shëndetësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, njoftoi shërbimi për shtyp i presidentit serb, raporton Tanjug, transmeton Express.
Ai bisedoi me Osmanin për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve përmes dialogut, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën evropiane.
Vuçiq përmendi projekte konkrete që do të kontribuonin në lidhje më të mirë dhe bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve, siç janë modernizimi i hekurudhës për në Shkup dhe forcimi i infrastrukturës në pikat kufitare.
Osmani e falënderoi presidentin serb për dhurimin e vaksinave, të cilat Vuçiq ia dorëzoi kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev të dielën dhe që mundësoi fillimin e vaksinimit të qytetarëve të Maqedonisë Veriore.
Vuçiq gjithashtu tha se Serbia mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.