Sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar pas publikimit të dosjeve të UNMIK-ut për vrasjet e Xhemail Mustafës dhe Ekrem Rexhës nga Albanian Post, drejtor i së cilës është gazetari Baton Haxhiu, shkruan Reporteri.net.
Ai në reagimin e tij, pos Haxhiut, përmendi me emër edhe gazetarin Milaim Zeka, të cilën e akuzoi se deklaratat e tij janë përpjekje për akuzim të udhëheqësve të UÇK-së që po akuzohen në Hagë.
“Ndërsa, deklaratat e Milaim Zekës e të disa eksponentëve të LDK-së, jo vetëm që kanë pasoja për publikun, por janë edhe një përpjekje e mjerë dhe për të të ardhur keq për akuzim të padrejtë të udhëheqësve të UÇK-së, të cilët po përballen me “drejtësinë” ndërkombëtare në Hagë”, shkroi Klinaku në Facebook.
E ndaj këtyre deklarimeve, ka reaguar ish-deputeti, Milaim Zeka.
Ai në një prononcim për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ është tallur me udhëheqësin e OVL të UÇK-së.
Zeka tha se është përgjegjës vetëm për atë çfarë shkruan duke bërë një deklaratë interesante për Klinakun.
“Nëse Fatoni ka kuptu se çka kam shkru, 1 milion dollar i ka. Unë jam përgjegjës për atë që shkruaj, jo për atë që dikush nuk e kupton. Unë kam shkru për Batonin, jo Fatonin. Mirë është që Fatoni mu marrë me punë të OVL, jo me deklarata politike”, tha Zeka për Reporteri.net.
Kujtojmë që ditë më parë janë publikuar dosjet e UNMIK-ut për rastin e vrasjes së Xhemajl Mustafës, Ekrem Rexhës e plagosjen e Fetah Rudit.