Trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi tha se në stadiumin e Gjilanit është thuajse e pamundur të fitohet, jo vetëm për “Xhebrailat”, por për të gjitha skuadrat.
Gjilani barazoi me Ballkanin, ndeshje që ishte mjaftë interesante, por përfundoi me rezultat 1 – 1, shkruan lajmi.net.
Pas ndeshjes, është deklaruar edhe trajneri i Ballkanit, i cili u shpreh i kënaqur me angazhimin e lojtarëve dhe dëshirën e tyre për fitore.
“Ishte një ndeshje e luftuar me dy skuadrat që kishin dëshirën për të luajtur. Për ndërprerjet mos më pyetni mua, por arbitrit sepse ata e gjykojnë ndeshjen. Unë jam i kënaqur me futbollistët e mi, pasi që treguan angazhim dhe dëshirë për të fituar, por në këtë terren ishte thuajse e pamundur, jo vetëm për skuadrën tonë, por edhe për skuadrën kundërshtare”.
“Kjo pikë do të na shërbejë për në vazhdim të kampionatit. Ne duhet të qëndrojmë në pozitën e parë pas ndeshjes së fundit të kampionatit, sepse tani ka pak rëndësi. Ndeshjen e radhës e luajmë ndaj Llapit, një skuadër shumë e fortë, e cila na eliminoi nga kupa. Megjithatë, ne shkojmë për të dhënë maksimumin më pas do të shohim se çfarë na rezervon ndeshja”, përfundoi Shkëmbi.
Ballkani është lider në Superligë me 45 pikë të tubuara në 21 xhirot e para, një më shumë se Drita dhe katër më shumë se Prishtina, skuadër që zë pozitën e tretë.