Një hartë që e tregon Kosovën pjesë integrale të Serbisë, madje as pa ndarjen administrative sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e mban në zyrë Miroslav Lajçak, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Harta pa Kosovën u pa kur i dërguari special i BE-së për dialogun mes Prishtinës e Beogradit, dha intervistë nga Brukseli për Platformën EWB (European Western Balkans).
Krahas flamurit të BE-së shihet edhe harta e Ballkanit Perëndimor, ku Kosova nuk ka kufi të jashtëm me Serbinë.
Lajçak që vjen nga Sllovakia, vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pritet ta vizitojë së shpejti Prishtinën e Beogradin.
Për EWB, Lajçak foli për vizitën që pritet ta bëjë në Prishtinë e Beograd.
Në kryeqytetin e Kosovës emisari europian mes tjerash pritet ta takojë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për të cilin në raport me dialogun, diplomati ka shumë pritje.
Por ndryshe mendon Kurti, i cili ka deklaruar se bisedimet me Serbinë janë prioriteti i katërt i qeverisjes së tij kur të bëhet kryeministër.