Tërmkolli: Katastrofale, Vjosa Osmani krijoi mendësinë se Kurti është si Rugova

Ish-deputetja dhe një prej zyrtareve më të vjetra të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka akuzuar Vjosa Osmanin se ka punuar për shkatërrimin e LDK-së nga pozicioni i Lëvizjes Vetëvendosje.

Tërmkolli ka thënë se Osmani e ka prekur substancën e LDK-së, dhe sipas saj, krijimi i një mendësie që Albin Kurti është njëjtë sikurse Ibrahim Rugova është katastrofale.

Ajo thotë se protagosnite e një fryme të tillë ishte Vjosa Osmani.

“Vjosa ka punu në shkatërrimin e LDK-së nga pozicioni i VV-së, prandaj e thash që ka prekur në substancë. Anëtari i LDK-së, kur ia krijuam na atë frymë që është njëjtë si me e votu LDK-në si VV-në, sepse Vjosa ishte protagonist kryesore që solli një mendësi në LDK, kjo është totalisht e papranueshme”, ka thënë Tërmkolli në RTV 21.

Tërmkolli thotë se nuk do t’i thoshte këto fjalë nëse Vjosa Osmani do të krijonte një parti në vete.

“Po ta bënte Vjosa një parti në vete, nuk do t’i thosha këto. Sepse do të thoja se ka pasur mospajtime.


Por me ta krijua mendësinë që është krejt njëjtë Rugova me Albin Kurtin kjo është totalisht e papranueshme”, ka shtuar Tërmkolli.