Prokuroria Themelore në Gjilan në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) ka ndaluar sot një zyrtar policor nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhoz i paligjshëm”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të njëjtit i është konfiskuar: një (1) telefon Samsung, një (1) kartelë Vala, një (1) kartelë Ipko, një (1) tabletë i markës Lenovo, një (1) kompjuter i markës HP, si dhe një USB.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se sot, më 27 Shkurt 2021, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, rreth orës 13:50 minuta, ka ndaluar të pandehurin B.R., zyrtar policor në Stacionin Policor në Gjilan, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ dhe ‘’Mashtrimi’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorit të rastit, me urdhër të Gjykatës kompetente në Gjilan është realizuar bastisja në shtëpinë e të pandehurit në fshatin Përpelnicë komuna e Gjilanit, ku në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:
– Një (1) telefon Samsung,
– Një (1) kartelë Vala,
– Një (1) kartelë Ipko,
– Një (1) tabletë i markës Lenovo,
– Një (1) kompjuter i markës HP, si dhe,
– Një USB.
I pandehuri B.R., pas intervistimit nga ana e hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës, me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orëve.