Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres si dhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.
Ajo ka thënë se e ndjen obligim moral të jep dorëheqje pas audio-incizimeve ku pretendohet se se janë bërë manipulime me vota.
“Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
“Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linqimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.
Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi.
Nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë! Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda.
Distancimi im nga një parti tek e cila kam besuar fort dhe kontribuar shumë, mbi 15 vjet, nuk e kam menduar asnjëherë që do të vijë. Por tani që erdhi, jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar.
Siç kam kërkuar edhe më herët, RIPËRSËRIS që në interval sa më të shkurtër kohor, Prokuroria e Shtetit të ndriçojë para së gjithash vërtetësinë e video-inskenimit të plasuar në mënyrë të dyshimtë në pseudo-portale dhe faktimin e vërtetësisë së të gjitha pretendimeve që implikojnë familjen time dhe mua.
Kjo ka rëndësi jetike meqë akoma është i panjohur autenticiteti i kësaj videoje, koha kur kjo bisedë është zhvilluar, identiteti i personave pjesëmarrës në të dhe gama e dëmtimit që kanë shkaktuar. Madje, tashmë jemi në kërkim të ekspertëve ndërkombëtar për dhënien e opinionit të tyre profesional rreth autenticitetit të saj!
Rinumërimi i disa kutive është një hap përpara, por jo determinues për zbulimin e të vërtetës së plotë, pasiqë gjeneza e problemit qëndron pikërisht tek pretendimet e parashtruara në këtë video-inskenim, e që jam e bindur se me zbardhjen e fakteve, do të rrënohen edhe SKEMAT PIRAMIDALE KRIMINALE, TË ORKESTRUARA NGA PARAPOLITIKA, E QË AKTIVIZOHEN SA HERË KA NEVOJË. Për këto arsye, dyshimet janë të bazuara që ka keqpërdorime edhe të kutive tjera, andaj KËRKOJ RINUMËRIM TOTAL. Faktet do t’i paraqes në organet kompetente.
Ditëve të fundit, është hedhur tepër baltë e mjegulluar në shpërfytyrim faktet. Megjithatë, koha dhe kërkesa insistuese e imja për drejtësi, do të distilojnë të vërtetën. Paditë për shpifje, fyerje, e shantazh do të mbeten aktive, dhe nuk do të ndalem derisa sekreti publik i lidhjes së krimit me pseudo-portalet do të vërtetohet.