Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u ka dërguar nga një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe u.d të Presidentes, Vjosa Osmani lidhur me takimin ndërmjet tyre.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja për media në LDK, Gentiana Azemi, e cila shkurt u deklarua se letrat u janë dërguar sot.
Kujtojmë se Kurti dhe Osmani i kishin dërguar një letër LDK-së, ku ftonin kryetarin e kësaj partie për të marrë pjesë në takim i cili ishte i planifikuar të mbahej sot për të diskutuar për konstitutimin e institucioneve.
Abdixhiku pas zgjedhjes si kryetar i LDK-së gjatë ditës së djeshme, u shpreh se e ka të pamundur pjesëmarrjen në takim për ditën e sotme, ai propozoi që ky takim të mbahet të premten.
Madje sot, pas homazheve që bëri te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Abdixhiku tha se është në pritje të konfirmim nga Kurti e Osmani për propozimin e tij për tu takuar këtë të premte.