Vetëvendosja s’e ka problem krijimin e qeverisë, por si do t’i sigurojë dy të tretat e votave për zgjedhjen e presidentes? PDK nuk do ta votojë Vjosa Osmanin, kurse LDK dhe AAK ende nuk janë shprehur qartë nëse do të rrinë në seancë.
Gjatë gjithë javës lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, zhvilluan konsultime me përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare, në mënyrë që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja. Tashmë është caktuar që seanca plenare e konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës të mbahet me datë 22 mars, ku do të zgjidhet kryetari dhe kryesia. Përveç konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, deputetët duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri të vendit. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, ka mandat vetëm deri më 05 maj.
Zgjedhja e qeverisë së Kosovës nuk duket se do të jetë problem për Lëvizjen Vetëvendosje e cila tashmë ka siguruar votat e nevojshme, së paku 61 për formimin e qeverisë. Por, shumë shpejt kjo legjislaturë duhet ta zgjedhë presidentin, që të paktën duhet të jetë prania në sallë e dy të tretave, 80 deputetëve.
Dy partitë shqiptare që tashmë janë deklaruar se do të jenë në opozitë, LDK dhe AAK, nuk janë deklaruar shumë qartë nëse do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente, ndërkohë që PDK ka një qëndrim të prerë për këtë çështje.
Ndërkohë, shumica nga përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe qeverisë. Përfaqësuesit e Listës Srpska, nuk kanë thënë qartë nëse do ta votojnë qeverinë apo presidentin e ri. Lista Serbe, pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, përmes një njoftimi për media tha se si “përfaqësuese legjitime e komunitetit serb, është e gatshme për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë serbët e Kosovës dhe se të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse kjo dështon në dy raunde, organizohet votimi i tretë ku pretendenti për president duhet të ketë së paku 61 vota, por gjithsesi duhet të jenë në sallë 80 deputet nga 120 sa i ka kuvendi i Kosovës. Nëse edhe në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Kosovës, automatikisht shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më larg se brenda 45 ditësh.
Në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë. Nga komunitetet e pakicave, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara. Ndërsa nga pakicat jo serbe, dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës, dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.