Osmani pasi ia dorëzoi detyrën Konjufcës: Sot po realizohet vullneti qytetar i 14 shkurtit

Vjosa Osmani i ka uruar  edhe një herë punë të mbarë Glauk Konjufcës si u.d i presidentit dhe kryeparlamentar.


Osmani ka shkruar për të ka qenë nder që të jetë në krye të institucionit më të lartë legjislativ  përgjatë legjislaturës së shtatë të Kuvendit.

Ajo është shprehur se dita e sotme, është realizim i vullnetit qytetar të shprehur me votë plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kryetarit të ri të Kuvendit, njëherësh U.D. President, z. Glauk Konjufca dhe Kryesisë së re të Kuvendit, u uroj punë të mbarë në udhëheqjen e institucionit më të lartë legjislativ e përfaqësues të vendit tonë. Ishte nder i jashtëzakonshëm që përgjatë legjislaturës së shtatë të jem në krye të Kuvendit, tempullit të demokracisë dhe të punoj duke përfaqësuar interesin e qytetarëve dhe duke rritur integritetin e transparencën në këtë institucion”, ka shkruar Osmani.

“Dita e sotme, është realizim i vullnetit qytetar të shprehur me votë plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit. Të gjitha deputeteve dhe deputetëve u uroj punë të mbarë, duke uruar që të jenë përherë të udhëhequr nga kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe të shërbejnë gjithnjë në shërbim të më të mirës për ta. Na priftë e mbara”, shton ajo.

Me 69 vota për, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, në seancën konstituive të legjislaturës së tetë.

Ai me automatizëm bëhet edhe drejtues i Presidencës së Kosovës.