Shkëmbi, kundër të gjithëve: Dua titullin në Kosovë! Aleanca ka kudo, por te ne ekzagjerohet

Bledi Shkëmbi deklaron objektivin maksimal: “Dua titullin, ose së paku pjesëmarrjen për herë të parë në kupat e Europës me Ballkanin”. Trajneri deklaron për “Panorama Sport” se krahas terreneve të vështira, në Kosovë po has edhe një frymë të pjesshme mediatike kundër trajnerëve nga Shqipëria, por edhe aleancat e theksuara nga disa skuadra, kryesisht kundër skuadrës së tij. Ish-kapiteni i Skënderbeut dhe ish-trajneri i Teutës komenton edhe ecurinë e tyre në Superiore, si për garën në lidhje me titullin, ashtu edhe për mbijetesën.

Në Kosovë është krijuar një ide që të gjithë po luajnë kundër Ballkanit që të mos shkojë as në Kupat e Europës. Si është e vërteta?

Në fakt, nuk më vjen mirë ta them, por është e vërtetë. Nuk jemi në kushte të barabarta me rivalët. Kanë ndodhur në disa javë disa rezultate që nuk priteshin. Megjithatë, pavarësisht nga kjo ne po luajmë seriozisht, futboll të pastër dhe shpresojmë që të arrijmë atë që kemi objektiv.

Duke qenë në krye, a mund t’ia dilni kundër të gjithëve për t’u shpallur kampion?

T’i kesh të gjithë kundër nuk është e thjeshtë që të dalësh kampion. Ne mundohemi që të mos gjejmë dhe të mos kemi justifikime. Jemi munduar dhe vazhdojmë që të japim maksimumin tonë në çdo ndeshje e të bëjmë më të mirën për të marrë atë që duam në çdo sfidë. Kjo, sepse ndoshta është e vetmja mënyrë për të fituar kur luan kundër të gjithëve. Nëse çdo ekip dhe çdo rival do të luante njësoj me të gjithë, kjo do ta bënte garën akoma edhe më të bukur dhe do të ishte më e mira e mundshme.

Pse u agravua situata në ndeshjen e fundit, teksa ju u munduat që të qetësonit tifozët në mbrojtje të kolegut tuaj? Çfarë ndodhi?

Nuk më erdhi mirë si shkoi ndeshja e fundit për atë situatë që u agravua. Nuk është diçka e mirë dhe pamje të bukura për t’u parë. Unë e di që gjithmonë i hidhet faji kundërshtarit, por sinqerisht këtë herë, lojtarët tanë nuk kishin asnjë lloj faji, nuk bënë asnjë lloj gabimi. Ishin kundërshtarët që i provokuan dhe që nxitën atë situatë jo të mirë. Për fat të mirë, fundi i ndeshjes ishte i qetë dhe arritëm që të merrnim maksimumin, atë që donim, tri pikët.

Referuar rasteve të fundit, futbolli është më i egër në Superioren shqiptare apo në Superligën e Kosovës?

Mendoj që futbolli është i egër kudo, si në Shqipëri, si në Kosovë (qesh…). Ndoshta ndryshimin e bëjnë terrenet, stadiumet ku Shqipëria patjetër ka kushte shumë më të mira sesa në Kosovë. Në një fushë të mirë, në një stadium të mirë, patjetër që është më e thjeshtë të luash futboll më të mirë dhe është disi më e thjeshtë që të arrish ato rezultate që ti kërkon.

Ka pasur shpesh në opinionin sportiv kosovar një frymë kundër trajnerëve nga Shqipëria. Si jeni ndier ju atje?

Po, është e vërtetë dhe, në fakt, disi e pakuptimtë që në disa momente ka pasur një frymë jo të mirë kundër trajnerëve të Shqipërisë. Personalisht, normale që kur i kam dëgjuar, nuk më ka ardhur mirë. Mirëpo, këtë pakicë nuk kam dashur dhe nuk dua që ta ngatërroj me pjesën më të madhe ku unë personalisht ndiej kënaqësi që jam këtu dhe ndiej respekt nga shumë njerëz. Kjo është edhe arsyeja pse nuk kam dashur t’i jap rëndësi kësaj dhe ta agravoj situatën.

Flitet për kurdisje edhe në Kosovë. Ku është më i pastër futbolli, në Shqipëri apo atje?

Në fakt, mendoj që nuk është fjala e duhur kurdisje.

U referohem akuzave që janë bërë në opinionin sportiv në Kosovë…

Unë mendoj që ndoshta më mirë duhet ta quajmë aleanca dhe për të qenë të sinqertë, aleanca ka kudo, jo vetëm në Kosovë apo Shqipëri. Mendoj se ka në çdo vend të botës, në çdo kampionat, pavarësisht se ndonjëherë ne në kampionatet tona e teprojmë…

Si e keni parë Superioren, mendoni se mund të mbijetojë Skënderbeu?

Patjetër që e ndjek Superioren, sidomos kur kam kohë. Duket se po bëhet një kampionat shumë i fortë, si për ekipet që po luftojnë të mos dalin nga Kategoria Superiore, si për skuadrat që po synojnë titullin kampion. Më vjen mirë për Teutën që po bën një kampionat të mirë dhe është në vend të parë për momentin. Më vjen mirë edhe për Skënderbeun që është rikthyer, po merr rezultate pozitive dhe shpresoj shumë që të arrijë objektivin dhe të shpëtojë duke mos rënë nga kategoria.

Po në garën për titull, cilën shihni si më të favorizuar për titullin kampion në Shqipëri?

Sipas meje, mendoj se kjo javë e ardhshme do të jetë shumë vendimtare për garën drejt titullit. Nëse Teuta do të arrijë që të fitojë kundër Vllaznisë në Shkodër, mendoj se do të jetë ekipi më afër titullit kampion. Shikoj që edhe Vllaznia është aty dhe më pëlqen për mënyrën si luan, bën një futboll shumë të mirë. Partizani është gjithashtu në garë. Laçi mbetet aty dhe në garë. Duket si e thënë klishe, por në përballjet direkte, ekipi që do të gabojë më pak, do të arrijë që të shkojë drejt titullit.

E ardhmja e Shkëmbit, në krye të Ballkanit edhe sezonin tjetër?

Për të ardhmen është paksa shpejt për të folur. Tashmë unë jam i përqendruar për të arritur objektivat me ekipin e Ballkanit. Pastaj do të ulemi dhe do të flasim. Megjithatë, është diçka që zgjidhet pa problem. Përqendrimi dhe dëshira është e madhe si nga ana ime, si nga i gjithë klubi dhe futbollistët, që të dalim kampionë ose minimumi në Europë, e cila do të ishte për herë të parë për klubin e Ballkanit. Ky është pa diskutim një motiv i madh.